Në majën më të lartë të botës, në Everest, valëvitet për herë të parë edhe flamuri shqiptar. Ekipi prej gjashtë alpinistësh shqiptarë të shoqatës "Dajti Alpino-Turistik", ka mundur të ngjitet dje në orën 7 të mëngjesit, një pas mesnate sipas orës tonë lokale, në pikën më të lartë të malit të Everestit dhe në botë, 8848 metra mbi nivelin e detit.<br />Ekipi shqiptar, është nisur nga Tirana në datën 2 prill, ndërsa përbëhet nga këta alpinistë: Mateo Begeja (19 vjeç), Erli Rudho (22 vjeç), Gerti Pishtari (25 vjeç), Fation Plaku (37 vjeç), Gjergj Bojaxhi (38 vjeç) dhe Xhim Begeja (47 vjeç).<br />Një kohë e gjatë aklimatizimi dhe ngjitje-zbritjesh të vazhdueshme në lartësitë 5200-7500 metra të malit, i ka paraprirë pushtimit të majës së Everestit. Kjo është strategji standarde e ngjitjes së këtij mali, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike: me erëra të fuqishme dhe temperatura deri në minus 40 gradë celsius, e sidomos rrallim të oksigjenit për shkak të lartësisë së madhe ngase në tetëmijë metra lartësi ajri në atmosferë përmban një të tretën e oksigjenit që gjendet në nivelin e detit.<br />Përcaktimi i ekipit të shoqatës "Dajti Alpino-Turistik" u vendos pas një kohe të gjatë stërvitore, ndërkohë që alpinistët iu nënshtruan testimeve dhe garave të ndryshme fizike.<br />Alpinistët janë duke zbritur lartësi dhe pritet të mbërrijnë në Shqipëri në javën e parë të qershorit. Sipas kompanisë nepaleze që shoqëronte ekipin, ky është një nga rastet e rralla kur ngjitja realizohet 100 për qind, pra nga të gjithë anëtarët e ekipit. Alsat-M
