Motoçiklistja Noor Daoud po thyen stereotipat dhe kufijtë e shpejtësisë në Bregun Perëndimor duke inkurajuar femrat t'i afrohen më shumë sportit të dominuar nga meshkujt. Ajo është palestinezja e parë që ka fituar garat në Formulën Izraelite, në të cilën makinat garojnë deri në shpejtësinë 300km/orë. Noor bën pjesë në grupin e grave shofere 'The Sisters Speed' dhe janë ekipi i parë i femrave që bëjnë gara shpejtësie në Lindjen e Mesme. Noor Daoud vjen nga një familje interesante; gjysmë amerikane, gjysmë palestineze, dhe flet arabisht, hebraisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe madje edhe pak rusisht. Gjatë garave, shumë prej konkurrentëve të saj meshkuj nuk e kuptojnë se ajo është femër, deri sa heq kaskën nga koka.
"Fillova të mësoja nëpërmjet internetit, duke parë video në Ju-Tjub si dhe gara. Vazhdoja të trajnohesha dhe rashë në dashuri me garat e shpejtësisë. Shpresoj që të bëhem popullore", deklaroi Noor Daoud, garuese.
"Sporti i motoçiklizmit është një ndër më të komplikuarit dhe kërkon shkathtësi të larta. Noor duket se e ka gjetur tashmë qëllimin në këtë sport, ajo kërkon të përfaqësojë Palestinezët në nivel ndërkombëtar", u shpreh Muhamed Abu Arram, zëdhënësi i federatës së automobilizmit palestinez.
Para se të zhytej në botën e garave të shpejtësisë, Noor pati provuar edhe sporte të tjera si tenisin, notin, alpinizmin madje pati luajtur futboll edhe me ekipin kombëtar të saj. Por garat e shpejtësisë tashmë janë thirrja e saj.
"Më pëlqen ndjenja e shpejtësisë, e ngasjes së çdo mjeti. Kur hipi në motor apo makina, ndjej se ajo është pikërisht çfarë që më nevojitet, reflekton personalitetin tim. E dua këtë sport", tha Noor Daoud, garuese.
Garuesja e re nuk ka ndërmend të pushojë në dafina. Këtë muaj ajo synon të fitojë garat në Dubai. Admir Qose