Dy të plagosur rëndë, tre të tjerë më lehtë, si dhe një numër i madh veturash të dëmtuara. Ky është bilanci i të shtënave me armë zjarri nëpër dasma, në rajonin e Pollogut. Ky fenomen nuk ka të ndalur megjithë apelet e shumta të policisë. Së fundi, sektori për punë të brendshme në Tetovë ka vendosur të marrë masa akoma më radikale ndaj dasmorëve që përdorin armët.<br />"Do përballen me masa shumë të ashpra ligjore, madje jo vetëm ata që përdorin armët por edhe të zotët e dasmës. Të gjithë do përballen me kundërvajtje apo padi penale. Vetëm dy javët e kaluara në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit u regjistruan disa plagosje nga plumba qorr të shkrepur nëpër ahengje familjare, si dhe dëmtime automjetesh dhe objektesh të tjera", deklaroi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.<br />Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje, Policia parashikon masa të ndryshme, përfshi edhe ndalimin e dasmës, kolonës së dasmorëve si dhe bastisjet e tyre apo shtëpive ku organizohet dasma. Policia është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie.<br />"SPB e Tetovës edhe njëherë u bën apel qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi i armëve, sepse në të kundërtën, pa përjashtime do përballen me masa të rënda ligjore", tha Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.<br />Fenomeni, traditë e vjetësh shqiptare, është shpeshtuar akoma më shumë gjatë muajve të verës, sidomos me kthimin e emigrantëve në vendlindjet e tyre. Vetëm pak ditë më parë, në vajzë 28 vjeçare u godit me plumb në qafë, nga breshëritë që lëshoheshin në ajër nga një dasmë në fshatin Kamjan. Bashkim Sulejmani
