Vizita e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun në Maqedoni nuk do të lëvizë procesin drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, nëse për të nuk angazhohen seriozisht pala greke dhe maqedonase. Kështu i komentojnë Denko Maleski dhe Biljana Vankovska pritjet nga vizita e Ban Ki Mun-it ku në fokus të takimeve që realizoi me kreun shtetëror ishte problemi i emrit.
"Do të thosha 'Jo'... nuk mund të presim pothuajse asgjë si rezultat konkret. Këto që dëgjuam më shumë janë fraza diplomatike që dëgjuam. Rezultat konkret do të ketë vetëm atëherë kur të dyja palët do të jenë vërtetë serioze dhe të sinqerta në qëllimin që të gjejnë zgjidhje kompromisi. Deri atëherë do të vazhdojë kjo politikë e akuzave të ndërsjella të Greqisë dhe Maqedonisë se pala tjetër është ajo që nuk lëshon pe", ka deklaruar ish diplomati Denko Maleski.
"Personalisht nuk pres që në një periudhë të afërt të shkohet në negociata intensive, pasi edhe qeveria e Samarasit si duket nuk do të jetë afatgjate pasi Greqia me siguri do të duhet të mendojë për dalje nga eurozona dhe kjo do të shkaktojë një larje hesapesh të brendshme dhe reforma të thella. Unë nuk pres befasi, vetëm nëse ndodhë ndonjë mrekulli dhe bashkësia ndërkombëtare e bind palën greke që si kundër-shpërblim të lëshojë pe ndaj emrit, përkatësisht, të respektojë vendimin e gjykatës ndërkombëtare dhe të lejohet që Maqedonia të marrë datën për negociata dhe anëtarësim në NATO me referencën IRJM", shprehet profesoresha universitare Biljana Vankovska.
Vizita e numrit 'një' të OKB sipas analistëve, tregon interesin e tij për problemet ende të hapura në Ballkan për të cilat angazhohet, dhe se nuk pritej që ai të sillte zgjidhje të problemit të emrit.
"Barrën e problemeve të pazgjidhura e ndjen edhe sekretari i përgjithshëm. Një prej atyre problemeve është edhe çështja e emrit me Greqinë, megjithatë ajo që nuk mund të pritet nga sekretari i përgjithshëm i një organizatë botërore, e cila para së gjithash është një forum i madh diplomatik dhe jo qeveri botërore, është që ai të vij me zgjidhje", tha Maleski.
"Opinioni maqedonas ishte i gatshëm të dëgjoj diçka specifike për çështjen e emrit, ndërkohë që, ajo që mori nga Ban Ki Mun, ishte porosi e dykuptimtë diplomatike. Fillimisht në një takim joformal ai përmendi disa herë emrin Maqedoni me të cilën do të thosha se nxiti eufori naive, ndërsa të nesërmen, në parlament ishte në këpucët e tij të vjetra të diplomatit i cili është luojal ndaj organizatës dhe fuqive të mëdha", shton Vankovska.
Gjatë shëtitjes në Ohër dhe në komunikimin me presidentin Ivanov, Ban Ki Mun përdori emrin 'Maqedoni', duke theksuar se edhe Koreja, vendi prej nga ai vjen, e quan vendin 'Makedonija'. Maqedonia njihet me emrin kushtetues nga rreth 130 shtete. Gjyltene Rexhallari