Në Tiranë, është shndërruar në traditë tashmë falja e Bajramit çdo vit, në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Falja u mbajt në orën 6:34. Por, në të njëjtën kohë, xhamitë e vendit, nga Shkodra e deri në Gjirokastër, besimtarët myslimanë u mblodhën nëpër xhami dhe falën namazin e festës. Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Dhe me këtë rast, krerët e Komunitetit Mysliman, ata politikë si dhe të institucioneve dhe trupave diplomatikë, përgëzuan shqiptarët për frymën e afinitetit dhe paqes ndërfetare dhe ndër-njerëzore. Në urimin me rastin e festës, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça shprehte mirënjohjen për besimtarët që agjëruan muajin e Ramazanit, dhe uronte që kjo festë e madhërishme të shërbejë për më shumë mirësi, afrimitet dhe paqe mes njerëzve.<br />Edhe presidenti i Republikës Bujar Nishani, në mesazhin e tij të pare në krye të kësaj detyre, uroi besimtarët shqiptarë për më shumë begati dhe tolerance.<br />"Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet! Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin!", deklaroi Bujar Nishani, president i Shqipërisë.<br />"Vendimi i tyre për t'iu përkushtuar dhe nderuar Zotit në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit është frymëzues për të gjithë, pasi nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë se sa përkushtimi i njeriut ndaj zotit. Ndaj, le të urojmë sot të gjithë besimtarët e zotit, 'Gëzuar' këtë ditë, ditën e nderimit të sakrificës, që është nderimi për arritjen dhe ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë", deklaroi Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.<br />Dita ka vazhduar me pritje të shumta në Komunitetin Mysliman, ndërsa besimtarët kanë shkëmbyer vizita mes familjarësh, miqsh dhe shokësh, me urimin për një vit të mbarë. Admir Qose