Edhe ministria e punës dhe politikës sociale premton ndihmë për nënën e katër fëmijëve Zyrafete Murtezanin, të cilët nuk kanë asnjë mjet identifikimi prej vitesh. Ministri Ristovski premtoi evidentimin e tyre, madje e quajti obligim.<br />"Menjëherë drejtohuni tek personi që është në kabinetin tim edhe menjëherë të fillojmë me evidentimin e tyre. Ju falënderoj, sepse një mbështetje e tillë është e një interesi të madh, jo vetëm për një gazetar por edhe për çdo qytetarë. Çdo informacion për personat pa dokumente dhe të pa evidentuar, lirisht paraqiteni në ministrinë tonë dhe ne do t'i ndihmojmë atyre personave. Kjo është detyra jonë dhe pjese e projektit, ky është obligimi yni ndaj qytetarëve të Maqedonisë", deklaroi Spiro Ristovski, ministër i punës dhe politikës sociale.<br />Ndërkohë Alsat kontaktoi sërish Zyrën e Avokatit të Popullit, të cilën vetë gruaja 40 vjeçare Zyrafete Murtezani kishte paraqitur rastin. Avokati i Popullit njofton se ka nisur procedurat për zgjidhjen e çështjes. Ekipi i Zyrës së Avokatit të Popullit javën që vjen do të vizitojë familjen e Zyrafete Murtezanit për më shumë detaje rreth rastit. Zyrafete Murtezani ka lindur në vitin 1973 në fshatin Bllacë dhe jeton në Shkup, por identiteti i saj nuk është i evidentuar në librin amë për shkak të lënies pas dore të çështjes nga vetë familja. Çështja është bërë më problematike nga momenti kur në Komunën Çuçer Sandev, Zyrafeten e regjistrojnë si të lindur në Kosovë dhe që jeton në Maqedoni. Ajo që e bën edhe më tragjike rastin, është se Zyrafetja ka edhe katër fëmijë të cilët gjithashtu nuk janë të regjistruar në librin amë. Neshati 14 vjeç, Enisa 12, Enisi 10 dhe Ejupi 9 vjet, edhe pse nuk kanë asnjë dokument identifikimi ndjekin edhe shkollën. Melihate Rustemi