Nxënësit e Shkollës Fillore 'Hasan Prishtina' në Çair prej të premten e kaluar janë në pushim të detyrueshëm për shkak të mungesës së naftës për ngrohje, ngjashëm siç ishte rasti edhe me shkollën fillore Ismail Qemali e cila po ashtu kohë më parë ndërpreu mësimin për disa ditë për shkak të mungesës së lëndës së parë për ngrohje.

'Mungesa e naftës, gjegjësisht e ngrohjes qëndrore ka bërë sot që nxënësit e Shkollës Fillore 'Hasan Prishtina' të mos vijojnë procesin edukativo-arsimor'.

Ndërkohë, i kontaktuar nga ALSAT-M, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti përmes linjës telefonike tha se nuk ka vend për shqetësim.

"Mungesa e ngrohjes në shkollë është rezultat i papërgjegjësisë së shpërndarësit të naftës, që nuk e kishte sjellë në kohë lëndën djegëse për ngrohje, gjegjësisht nuk i është përmbajtur marrëveshjes së firmosur. Problemi në fjalë është tejkaluar dhe kjo shkollë do të furnizohet me naftë dhe procesi edukativo-arsimor do të vazhdojë", tha Izet Mexheti, Kryetar i Komunës Së Çairit.

Por, nga Komuna e Çairit nuk precizuan saktë se kur do të rifillojë procesi edukativo-arsimor në SH.F 'Hasan Prishtina'. Rikujtojmë se në Çair për momentin, me naftë ngrohen shkollat fillore "Ismail Qemali", "Imri Elezi" dhe "Hasan Prishtina" ndërkohë që përmes ngrohtores Shkup-Veri ngrohen ende shkollat "Jashar Bej Shkupi" dhe "Adem Jashari". Valmir Kuçi