Kryeministri Gruevski dhe LSDM-ja, me pikëpamje të ndryshme për thirrjen e komisionarit evropian Shtefan Fyle për kompromis rreth krizës politike. Në reagimin e kabinetit të Gruevskit, theksohet se Qeveria ka qenë e angazhuar për arritjen e zgjidhjes, por gjithmonë ka hasur në qasje joserioze dhe joracionale nga LSDM-ja.

"Komisioneri Europian Fyle është njohur më së miri me të gjitha përpjekjet dhe angazhimet tona për kapërcimin e situatës, madje edhe kur krahas transparencës, gatishmërisë sonë për dialog dhe kompromis, ndeshim në qasje joserioze dhe joracionale nga pala tjetër. ...Ne mbetemi përgjegjës, të hapur dhe të përkushtuar për vazhdimin e kursit tonë në pajtim me parimet e shprehura publikisht, madje të hapur për propozime eventuale nga cilido qoftë, duke përfshirë propozime konkrete edhe nga ana e vetë Fyles", thuhet në reagimin e Qeverisë.

Ndërkaq, nënkryetari i LSDM-së Zoran Jovanovski ka hedhur topin tek Gruevski, duke theksuar se ai është kryeministër, dhe është pikërisht ai që duhet të turpërohet kur ndërkombëtarët, prej kohësh i tregojnë se çfarë duhet të bëjë.

"Kur ka thirrje të tilla, jo një, por disa herë me radhë, kur duhet që njerëz nga jashtë t'ju tregojnë çfarë duhet të bëni, ndërsa Ju jeni kryeministër i shtetit, puna e parë që kryeministri duhet të bëjë është t'i vijë turp, dhe t'i vërë gishtin kokës. A e merr parasysh ai këtë presion të shtuar apo jo. Nuk mund ta them unë, mirëpo mendoj se ai akoma nuk e kupton seriozitetin e situatës në Maqedoni", deklaroi Zoran Jovanovski, nënkryetar i LSDM-së.

Jovanovski shtoi se opozita tashmë ka dhënë ofertat e saj. Sipas tij, i takon Gruevskit që të kuptoj rëndësinë e krizës, të ulet për mirëkuptim dhe zgjidhje, dhe jo të ndjekë rrugën e inatit. Benjamin Arifi