RDK-ja e Osmanit gjatë raundit të dytë zgjedhor që do të mbahet të dielën më 7 prill, në të gjitha komunat ku garojnë kandidatë shqiptarë, do të mbështesë kandidatët e PDSH-së. Kjo sipas nënkryetarit të RDK-së, njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor Artan Dika, vjen si kundërpërgjigje ndaj BDI-së. Sipas tij, partia shqiptare në pushtet manipuloi rëndë procesin zgjedhor të 24 marsit, duke minuar themelet e demokracisë dhe procesin e lirë zgjedhor.

"Kryesia Qendrore e Rilindjes Demokratike Kombëtare, në mbledhjen e saj të mbajtur dje, më 2 prill 2013, pasi analizoi situatën aktuale politike në vend, vendosi që të mbështesë pa rezervë kandidatin shqiptar, zotin Ziadin Sela në raundin e dytë në komunën e Strugës, të cilin edhe në raundin e parë e ka favorizuar mos-nxjerrja e kandidatit për kryetar të komunës së Strugës nga ana e RDK-së, dhe të autorizojë Kryesitë e degëve të RDK-së që të zhvillojnë negociata për bashkëpunim potencial me kandidatët e partisë tjetër opozitare shqiptare, PDSH-së, në komunat në të cilat garojnë kandidatë shqiptarë në raundin e dytë dhe ku këshilltarët e RDK-së kanë rëndësi të veçantë për formimin e shumicës në këshillat komunal", tha Artan Dika, RDK.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i BDI-së. Artan Grubi theksoi se BDI-ja nuk frikësohet aspak nga bashkëpunimi RDK-PDSH, sepse sipas tij, BDI-ja ka koalicion me popullin.

"BDI-ja ka aleancë me qytetarët shqiptarë, dhe shqiptarët ja kanë dhënë besimin absolut në zgjedhjet e 24 marsit dhe ky besim do të përsëritet edhe në rrethin e dytë më 7 mars. Asnjë bashkëpunim jo-parimor, asnjë partneritet strategjik nuk do ta dëmtojë fitoren e shqiptarëve. Pritjet tona për qytetin e Tetovës dhe qytetin Gostivarit janë fitore absolute dhe e garantuar në të dy qytetet. Ne do të festojmë më 7 prill. Fitoren do e korrë BDI-ja, por do e shijojnë të gjithë qytetarët e Tetovës dhe Gostivarit", tha Artan Grubi, zëdhënës i BDI-së.

Nga BDI, i kujtojnë kreut të RDK-së Rufi Osmani, deklaratat e dhëna në Alsat në emisionin 'Rruga Drejt...' se në qoftë se gjatë zgjedhjeve nuk merr 30 mijë vota do të tërhiqet nga skena politike.

"Para zgjedhjeve të 24 marsit, Rufi Osmani doli me prognozë që do të fitojë që në rrethin e parë, por e humbi atë dhe BDI prin në Gostivar me 11.208 vota kundër RDK që ka 10.775 vota. Ndërsa në nivel republikan, partia e Rufi Osmani ka 28. 369 kurse Bashkimi Demokratik për Integrim ka 134.690 vota. Në TV kombëtar Alsat-M në emisionin Rruga Drejt.. më 8 dhjetorë 2011, Rufi Osmani publikisht u dha fjalën shqiptarëve dhe u zotua se po që se nuk i merë më tepër se 30 mijë vota në këto zgjedhje ai do të tërhiqet përgjithmonë ë nga politika", u shpreh Artan Grubi, zëdhënës i BDI-së.

Përplasjet politike janë intensifikuar më tej mes subjekteve politike, me afrimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve, në kuadër të raundit të dytë. Bedri Rexhallari