Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të shërbejë si model për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë edhe pse çdo vend dhe kontest ka specifikat e veta. Kështu theksoi zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, i cili qasjen e Serbisë dhe Kosovës në këtë dialog e vlerësoi si të guximshme dhe shembull për Maqedoninë dhe Greqinë.

"Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është një hap i guximshëm për integrimet evropiane në gjithë rajonin dhe mund të jetë si shembull i mirë për të përcjell edhe në rastet tjera në rajon, por edhe në rastin e Maqedonisë dhe Greqisë, ashtu siç më herët bëri, Sllovenia me Kroacinë. Mirëpo duhet të kemi parasysh se çdo vend ka specifikat e veta, por si qasje gjithsesi se është një hap i guximshëm dhe shembull i cili duhet të përcillet edhe nga vendet e tjera të rajonit në emër të integrimeve evropiane", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për cështje evropiane.

Sa i përket anashkalimit të Maqedoninë në Këshillin e Ministrave në Luksemburg, Besimi tha se një gjë e tillë ishte e pritshme dhe se gjërat po rrjedhin me dinamikën e parashikuar. Zv/kryeministri thekson se deri në qershor duhet të arrihet progres në reforma dhe në çështjen e emrit, me qëllim që rezultati i mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Ministrave të jetë pozitiv.

"Raporti tani është dorëzuar nga komisari Fyle dhe deri në qershor ne duhet të vazhdojmë me reformat dhe temat tjera siç janë raportet e mira ndër-fqinjësore dhe çështja e hapur me Greqinë për emrin që deri në qershor të tregohet progres edhe në këtë fushë dhe atëherë të ketë edhe më shumë material në qershor në Këshillin e Ministrave Evropian që të diskutohet. Sa i përket dinamikës ajo është ashtu siç është e paraparë", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për cështje evropiane.

Komentet e tilla Besimi i bëri pas konferencës "Ndërtimi i diturisë për BE", në të cilën mori pjesë edhe ambasadori britanik Kristofer Ivon. Gjatë fjalimit të tij në konferencë, Ivon porositi shoqërinë dhe autoritetet e Maqedonisë që në vend se të izolohen me çështje të brendshme, tu japin rëndësi edhe çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare, për të cilat Maqedonia duhet të merr përgjegjësinë e njëjtë me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, menjëherë pas anëtarësimit të saj në këto organizata ndërkombëtare. Benjamin Arifi