Mos marrja e datës për fillim të negociatave të Maqedonisë me BE-në nuk duhet të jetë lajm i parë në mediat e vendit, madje politikanëve dhe qytetarëve nuk duhet t'u bjerë të fiktë. Kështu u shprehë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski duke komentuar Samitin e fundit të BE-së në Bruksel ku Maqedonia nuk është në rend dite. Sipas tij me rëndësi është që vendi të vazhdojë me realizimin e reformave pavarësisht mos përfilljes së Maqedonisë në samitet e BE-së.

"Të mos të na bjerë të fiktë nëse kemi marrë datë ose jo, për fillim të bisedimeve me BE-në. Për ne me rëndësi është se ne kemi përmbushur të gjitha kushtet.... Maqedonia është vend i aftë dhe mund t'i niste bisedimet që nga viti 2009, nëse nuk do ishte bllokuar nga Greqia", tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, deputeti i BDI-së Nexhati Jakupi thotë se pa zgjidhje të çështjes së emrit, Maqedonia do të vazhdojë të mos përmendet edhe në Samitet e ardhshme të BE-së. Ndryshe nga bashkëpartiaku i tij Fatmir Besimi, Jakupi ishte më i përmbajtur.

"Mbetemi me qëndrimin se zgjidhja e çështjes së emrit do të hap shteg edhe për zgjidhjen e atyre problemeve që kanë mbetur në rrafshin politik të brendshëm, kështu që mbetet që në periudhën e ardhshme me një përpikshmëri dhe me një kujdes të veçantë ti qasemi çështjes së zgjidhjes së emrit apo problemit të hapur që kemi me Greqinë dhe mendojë se ky do të ishte instrumenti me të cilin do të përmbylleshin edhe çështjet tjera të hapura sa i përket procesit të integrimit", deklaroi Nexhati Jakupi -- BDI.

Deputeti Ivon Veliçkovsi i Partisë Liberale në opozitë tha se përjetimi i dështimit gjatë Samitit të BE-së në Bruksel, është rezultat i jo konsistencës së Qeverisë.

"Jo konsistenca e Qeverisë është rezultat i qasjeve të ndryshme të partnerëve qeverisës sa i përket çështjes dhe qëndrimeve për zgjidhjen e këtij problemi. Kjo jo konzistencë reflekton edhe në politikën e jashtme të Maqedonisë, prandaj edhe Maqedonia përjeton dështim të tillë", u shpreh Ivon Veliçkovski, Partia Liberale.

Dy ditë më parë, zv/kryeministri për çështjet evropiane Fatmir Besimi deklaroi në mënyrë të prerë se Maqedonia nuk ka për të marrë datë për negociatat, dhe se përgjegjëse për këtë, janë institucionet! Ai gjithashtu pranoi se kyçe në imazhin e Maqedonisë në BE është zgjidhja me sukses e krizës politike pas hetimeve të ngjarjeve të 24 dhjetorit, si dhe ligji i medias. Valmir Kuçi