TIRANË - Dy deputetët e qarkut të Shkodrës, Tom Doshi i Partisë Socialiste dhe Mark Frroku i Partisë Kristian-Demokrate janë interesuar për shëndetin e dy familjeve të plagosura dje në Pukë nga maskat, duke i ndihmuar ata financiarisht për kurimin.<br /><br />"Kontaktova me Spitalin Amerikan dhe një kirurg turk e mori përsipër që t'i shpëtojë krahun fëmijës, pasi i ka mbetur një arterie e padëmtuar. U desh një pagesë prej 6000 euro, që e bëmë bashkë me Markun", u shpreh në kamerën e "A1 Report" deputeti dhe biznesmeni i njohur Tom Doshi për fatin e vogëlushit 5-vjeçar, njëri nga 5 pjesëtarët e familjeve Kopani dhe Xhaferri, të cilët u plagosën në Qafë Qelë gjatë një tentative grabitje, ndërsa udhëtonin me automjet nga Puka drejt Shkodrës. Eris Xhaferri pas plumbit të marrë në krahë rrezikon ta humbë atë.<br /> <br />Doshi ka shtuar se "i kërkoi spitalit dhe mjekëve të tregoheshin humanë, që edhe 4 të plagosurit e tjerë të kuroheshin aty", pasi tek Spitali Ushtarak plagët e të sëmurëve kishin filluar të qelbëzoheshin dhe medikamente nuk kishte. "Spitali i mori përsipër dhe po bëhet transporti i tyre në spitalin amerikan", shtoi Doshi.