Edhe dy muaj nga mbledhja e fundit e këshillit komunal të Strugës, ende nuk është arritur një marrëveshje për qeverisjen lokale. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar bisedime më intensive midis PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së ,por siç bëhet e ditur nga nga të dyja partitë, ngërçi politik në Strugë do të vazhdoj. Burime të larta të Partisë Demokratike Shqiptare bëjnë të ditur se mbledhja e caktuar për ditën e premte, nuk do jetë aq e frytshme siç pritet, pasi VMRO-ja kërkon më shumë se dy sektorët udhëheqëse, atë për financa dhe inspektoratin dhe drejtorinë e shkollës së mesme "Niko Nestor", të ofruara nga PDSH-ja. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Pero Petkovski, i pyetur me telefon nga ALSAT rreth bisedimeve për një koalicion të mundshëm me PDSH-në, tha se nuk do futet në koalicion me çfarë do lloj oferte. Ai tha për disa pika dy partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta gjë që e largon mundësinë e një koalicioni të mundshëm. Petkovski bëri të qartë qëndrimin rreth emrit të Abdulla Qazimimit, i cili është propozim i vetëm i PDSH-së për kryetar këshilli se ai nuk do të mbështetet në qoftë se nuk ndryshon oferta. Veç kryetarit të këshillit, VMRO-ja kërkon sekretarin e Komunës dhe drejtorin e ndërmarrjes"Proaqua". Por edhe kryetari i komunës Ziadin Sela, tashmë ka bërë të qartë qëndrimin se më parë do të pranonte zgjedhje të parakohshme për këshillin komunal, sesa pranimin e kërkesave të VMRO-s. Durim Etemi
