Identifikimi i sulmuesve të adoleshentit Jusuf Islami për vetëm 3 ditë dëshmoi se policia mund të zbardh rastet atëherë kur ka vullnet të mjaftueshëm për të vepruar. Por, për këtë u desh presion mediatik por edhe që Jusuf Islami të përfundojë me nofullën e thyer. Raste të ngjashme të torturës së të rinjve shqiptarë në rrethinën e Aerodromit, ka pasur edhe më parë, por sot e kësaj dite nuk janë zbardhur ose nuk kanë marrë epilog gjyqësor. Ekspertët komentojnë se qasja e tillë e policisë vjen si pasojë e nivelit të ulët të sundimit të së drejtës në Maqedoni.

"Një nga bazat e së drejtës është veprimi i drejtë në situata të njëjta. Në rastin konkret, por edhe në shumë raste të tjera mund të flasim pikërisht për mos ekzistencë të kësaj shtylle fundamentale, themelore dhe bazike të sundimit të së drejtës, dhe automatikisht jo vetëm policia por edhe të gjitha institucionet e tjera veprojnë sipas ndikimit momental të subjekteve politike. Maqedonia nuk po niset në rrugën e ndërtimit të marrëdhënieve ndëretnike mbi bazën e demokracisë dhe sundimit të së drejtës, por me këmbëngulje po mundohet që demokracinë dhe sundimin e së drejtës të ndërtojë mbi marrëdhëniet ndëretnike", u shpreh Mirjana Najçevska, eksperte e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit Ixhet Memeti ka apeluar institucionet që në mënyrë të drejtë dhe jo selektive t'iu qaset rasteve të tilla, dhe të mos rrinë duarkryq.

"Institucionet e ndjekjes me azhuritet dhe me efikasitet më të madh duhet ti gjejnë, ti hetojnë dhe ti zbardhin rastet që pastaj shkaktojnë probleme më të gjëra dhe paraqiten si dukuri që nuk është mirë për shoqërinë tonë. Ky është apel i drejtuar institucioneve që mos të rrinë duarkryq. Jo në mënyrë selektive por në mënyre të barabartë ti ndjekin dhe ti zbardhin sa më shpejtë të gjitha rastet", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Ndryshe, sipas të dhënave të një ditë më parë të MPB-së, në rrahjen brutale të Jusuf Islamit kanë marrë pjesë 7 persona të moshës prej 14 deri 18 vjeç. Ata janë identifikuar dhe kundër tyre do të ngritët padi adekuate. Benjamin Arifi