Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vendosur tërheqjen e zëvendës-ambasadorit në Kroaci, Urtak Hamiti pas skandalit që shkaktoi rrugëve të Zagredit në gjendje të dehur. Vendimi u mor pasi autoritetet e Kroacisë përmes një note proteste kanë informuar Prishtinë zyrtare se diplomati Urtak Hamiti, ministër-këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, ka kryer sjellje jo dinjitoze dhe jo profesionale, gjatë misionit në Kroaci. Ministri Hoxhaj po ashtu ka iniciuar krijimin e një komisioni në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili do të shqyrtojë në tërësi rastin. MPJ i ka shprehur keqardhje autoriteteve të Republikës së Kroacisë, pas ankesës për sjelljen jo dinjitoze të diplomatit të saj në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Zagreb. Ndryshe për sjelljen e diplomatit kosovar ka raportuar televizioni kroat Nova i cili edhe kishte sjell pamjet nga arrestimi i zv/ambasadorit Urtak Hamiti.<br /><br />Sipas mediave kroate, zyrtari kosovar ka vene ne panik kalimtaret e rastit, për shkak të veprimeve të pakontrolluara me makinën e tij. Ndërsa forca policie e kanë rrethuar atë, duke e shtrirë përtokë në gjendje të dehur. Dëshmitarët kanë thënë se ai goditi disa vetura që ndodheshin të parkuara buzë rrugës. Në Ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar arrestimin e zyrtarit të saj, por kanë mohuar që ai te ketë qenë në gjendje të dehur. Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ndërsa është emëruar në shërbimin diplomatik qe kur ministria e jashtme drejtohej nga Skënder Hyseni. Ferikan Iljazi