Formohet Grupi i Punës për Implementimin e Raportit të Komisionit Hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit. Ilija Dimovski dhe Bllagorodna Duliq nga VMRO-DPMNE, Cvetanka Ivanova dhe Igor Ivanovski nga LSDM janë anëtarët e grupit. Në të, partia shqiptare në pushtet do të përfaqësohet nga koordinatori i saj Nexhati Jakupi, ndërsa opozita shqiptare nuk mori pjesë në koordinimin e sotëm, duke paralajmëruar njëkohësisht bojkotimin e plotë të punës së këtij grupi. Opozita maqedonase shprehet se, nëse ekziston vullnet politik, Grupi i Punës do e përfundojë me sukses misionin e tij.

"Në rast se ekziston vullnet politik, Grupi i Punues mund ta kryej punën e tij shumë shpejtë. E shihni që VMRO DPMNE-ja sërish delegon personat e njëjtë që morën pjesë në komisionin 'Ad Hoc. Të njëjtit ata që, në ditën e nënshkrimit nuk e njohën raportin dhe për të cilin, vënë cilësime të turpshme. Por ajo është VMRO-DPMNE-ja. Për implementimin e raportit duhet të marrin pjesë, ata që e quajtën atë letër tualeti. Ne, në atë grup pune nuk jemi për shkak të VMRO-DPMNE-së, por për shkak të qytetarëve dhe të demokracisë parlamentare", deklaroi Igor Ivanovski, LSDM.

"Në interes të integrimeve evropiane të Maqedonisë, të lihet anash 24 dhjetori, ashtu siç u sugjerua edhe nga eksperti i Bashkimit Evropian, të mos kthehemi prapa, por të gjithë, të punojmë bashkë për ardhmërinë e vendit. Presim që Grupi i Punës ta kryejë shpejt punën e tij...Nga ana e shumicës parlamentare, posaçërisht nga ana e VMRO DPMNE-së, mund të them se ne jemi të gatshëm që rekomandimet e raportit, t'i përmbushim për arritjen e një konsensusi maksimal të mundshëm", tha Silvana Boneva, VMRO DPMNE.

Nga BDI-ja ndërkohë, mirëpresin ndryshimin e rregullores dhe ligjit të Kuvendit, rekomanduar në të njëjtin raport. PDSH-ja nga ana tjetër, thotë se gjithë çështja e komisionit hetimor është farsë. Krizat e vërteta janë ato që prekin shqiptarët.

"Ky grup pune sipas rekomandimeve duhet të punoj në ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kuvend si dhe ndryshimin dhe plotësimin e rregullores së punës së Kuvendit si dhe sugjerimeve dhe rekomandimeve tjera që kanë të bëjnë me punën parlamentare. Qëndrim i ynë është se këto dy dokumente janë me rëndësi të jashtëzakonshme, jetike për punën parlamentare dhe ne do të japim maksimumi tonë", deklaroi Nexhati Jakupi, BDI.

"Vlerësojmë se kjo është një farsë politike, pasi problem real në Maqedoni nuk janë problemet që ndërmjet veti i kanë maqedonasit, por problem ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, këto janë problemet të cilat kërkojnë zgjidhje. Janë çështjet me interes të shqiptarëve. Askund këtu nuk përmendet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe, e cila këtu në parlament nuk është gjuhë zyrtare", tha Imer Aliu, PDSH.

Nga epilogu i punës së Grupit të sapo krijuar, do të varet edhe fakti nëse Maqedonia do të marrë apo jo raport pozitiv nga Komisioni Evropian. Bedri Rexhallari