PRISHTINE- Kosova nga e hëna ka nisur të mos lejojë produktet e prodhuara në Maqedoni të hyjnë në territorin e saj.

Urdhri i dhënë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila të dielën pasdite për ndalimin e hyrjes së çdo malli të prodhuar në Maqedoni, është përcjellë menjëherë edhe në terren. Zyrtarët doganorë nga mesnata kanë nisur së zbatuari sanksionet e reja.

"Radio Evropa e Lirë" ishte e pranishme në mesnatë në kufirin Kosovë-Maqedoni në Hanin e Elezit, për të vëzhguar nga afër vënien në praktikë e urdhërit për ndalimin e produkteve maqedonase.

Dy kamionë që transportonin gypa të prodhuar në një fabrikë në Gjevgjeli, ishin të parët që u përballën me praktikat e reja kufitare.

Ata u detyruan të ktheheshin prapa nga terminali doganor në Han të Elezit për në terminalin maqedonas në Bllacë, pasi kishin arritur pak minuta pas hyrjes në fuqi të urdhëresës administrative.

Doganierët e Kosovës ua shpjegonin transportuesve maqedonas që u ndalën në terminal, se rregullat e reja vlenin nga mesnata, dhe se duhej kthyer mallin prapa.

Në korrik të vitit 2011, Kosova pati vendosur embargo për produkte të Serbisë, në kuadër të masave të reciprocitetit, që u nxitën pas bllokimit të mallërave kosovare për të kaluar në territorin e serb.

Problemet mes Kosovës dhe Maqedonisë ndërkaq nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovarë.

Qeveria në Prishtinë miratoi kundër-masa, të cilat kushtëzonin importin e disa produkteve të qumështit që prodhohen në Maqedoni.

E gjithë kjo "betejë" me dhe për tregtinë, çoi që të dielën kosovarët të ndeshen me kolona të stërgjata në kufijtë me Maqedoninë, pasi Shkupi ua ngriti një taksë rrugore.

24 orë më parë, ishte pala maqedonase ajo që kishte nxjerr rregulla të reja për kosovarët, ku secili që hyntnë këtë territor duhet të paguajë 2 euro për veten dhe pasagjerët tjerë, dhe 5 euro për makinën.

Vendimi u pa si provokim nga Prishtina zyrtare, e cila nga e hëna bllokoi hyrjen e prodhimeve maqedone.

Policët kufitarë të Kosovës thonë se kanë njoftuar jozyrtarisht kolegët e tyre kufitarë maqedonas për masat e reja dhe embargon e vendosur nga qeveria në Prishtinë për mallrat e prodhuara në Maqedoni.