Pas takimit me ndërmjetësin për çështjen e emrit Methju Nimic, komisionieri evropian Shtefan Fyle nesër në Nju Jork do të takojë edhe Shefin e diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki. Edhe pse nuk u kumtuan detaje nga takimi i të hënës mes ndërmjetësit të OKB-së Nimic dhe komisionarit për zgjerim Fyle, ky i fundit pritet që shefit të diplomacisë Poposki ti përcjellë informata nga takimi me Nimicin. Sipas zëdhënësit të komisionarit evropian, Fyle do të shfrytëzojë qëndrimin në Nju Jork edhe për të takuar Ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, për të biseduar me to lidhur me procesin e aderimit por edhe rreth raportit të progresit, i cili pritet të publikohet nga mesi i tetorit. Akoma nuk dihet nëse në Nju Jork do të ketë ndonjë takim të delegacioneve greke dhe maqedonase, edhe pse palët ditë më parë vunë në pah vijat e tyre të kuqe për sa i përket problemet të emrit. Ministri i Jashtëm grek Evangelis Venizelos pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, theksoi se zgjidhja duhet të bazohet në një emër të përbërë, të pranueshëm nga të dy palët, me përcaktim gjeografik dhe për përdorim të përgjithshëm. Ndërkaq kolegu i tij maqedonas Popovski u kundërpërgjigj se zgjidhja duhet të bazohet në kornizën që ofron OKB-ja dhe aktvendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Kryeministri Gruevski i cili të premten do të mbajë fjalim përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të shtunën pritet të takojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Mun, një ditë më parë deklaroi se shpreson që palët të afrojnë qëndrimet në raundin e ri të bisedimeve që do të iniciojë ndërmjetësi Nimic, gjatë javëve të ardhshme. Semra Jakupi
