ITALI - Ditën e djshme, 83 trupa të tjerë të emigrantëve të mbytur janë nxjerrë nga fundi i detit dhe i janë bashkuar 111 trupave të nxjerrë më parë dhe vendosur në një hangar të aeroportit.

Pas dy ditësh, kur kërkimet kishin ndaluar për shkak të kushteve klimaterike jo të favorshme, polumbarët e "Guardia Costierës", të zjarrfikësve dhe të "Guardia di Finanza", të pajisur me robotë me telekamera, rifilluan kërkimin për gjetjen e trupave të emigrantëve të mbytur në anijen që i afrohej brigjeve italiane, ditën e enjte më 3 tetor.

Sipas zëdhënësit të Kapitenerisë së Portit, në fytyrat e atyre që po kërkojnë trupat e emigrantëve në 50 metra thellësi, shihet trishtim për gjendjen e krijuar.

Gjatë kërkimeve të polumbarëve, të cilët rikuperonin, njërin pas tjetrit, trupat e pajetë në vendngjarje, ka mbërritur edhe Ministrja e Integrimit Cecile Kyenge, e cila bëri homazhe në qendrën ku ata janë vendosur; ajo është mallëngjyer përpara një tragjedie kaq të madhe dhe nuk ka mundur të mbajë as lotët. Më pas, ajo është takuar me 155 të mbijetuarit e kësaj tragjedie dhe u shpreh se nuk duhet të pranojmë më një situatë të tillë, nuk duhet të presim që të ndodhin tragjedi të tilla, për të shpresuar më pas në ndryshim të situatës.

Kyenge kërkoi mbështetjen e vendeve europiane për përballimin e kësaj situate të dhimbshme.

Ndërkohë, në një intervistë të tij, kryeministri Enrico Letta, u shpreh se ditë e mërkurë pritet të mbërrijë në Lampeduza, presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian Barroso, i cili do të shikojë më nga afër gjendjen që paraqitet nga kjo tragjedi.