Komisioni Evropian do ta kushtëzojë Maqedoninë këtë vit, me një kriter të ri. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve 'MIA', në raportin e progresit i cili do të publikohet më 16 tetor, pritet të theksohet nevoja e vendosjes së 'kulturës mediatike'. Megjithëse autoritet e Brukselit vazhdimisht kanë theksuar rëndësinë e garantimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave, si kusht i domosdoshëm për një vend që aspiron integrimet, akoma mbetet e paqartë se çfarë do të kërkojë konkretisht kriteri i ri i formuluar si 'kulturë mediatike'. Përveç mediave, në raportin e sivjetmë, në shënjestër të kritikave pritet të jenë edhe incidentet e 24 dhjetorit në parlament, ngecjet në përmbushjen e Marrëveshjes Politike të 1 marsit, dhe në kuadër të saj, të rekomandimeve që dolën nga Komisioni Hetimor. Nga ana tjetër, vendi do të kritikohet edhe për mosarritjen e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, si dhe për dështimin në afrimin e qëndrimeve me Greqinë rreth çështjes së emrit. Notë negative Maqedonia pritet të marrë edhe në sferën e marrëdhënieve ndëretnike, ku pritet të theksohen incidentet ndëretnike që karakterizuan periudhën nga fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti. Megjithatë, Maqedonia edhe këtë vit do të ruajë rekomandimin për fillimin e negociatave ndërsa në raport, do të përfshihet dy herë edhe mbiemri 'maqedonase'. Ndryshe nga formula që ofroi një vit më parë komisioneri Fyle, për zhvillimin paralel të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE-në dhe atyre për zgjidhjen e çështjes së emrit, këtë vit kjo formulë do të anashkalohet. Semra Jakupi
