Në shenjë proteste për masën e paraburgimit për drejtuesin e këshillit të komunës Qendër Shipoviq, LSDM-ja opozitare ka vendosur të bojkotojë grupin punues për ngjarjet e 24 dhjetorit, Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa këshilltarët e këtij subjekti politik, në të gjitha komunat nuk do të marrin pjesë në seancat e para të radhës. Kreu i opozitës Zaev tha se kjo është vetëm masa e parë që mund të ndërmarrë opozita.

"Nëse nuk anulohet masa e paraburgimit për Shipoviqin, do të vijojë reagimi ynë i parë: LSDM-ja tanimë pushoi pjesëmarrjen në Komisionin parlamentar për implementimin e konkluzave të Komisionit për 24 dhjetorin. Kryetarët e komunave nga LSDM-ja nuk do të marrin pjesë në aktivitetet e BNjVL-së. Këshilltarët e LSDM-së në të gjitha këshillat komunale në shenjë solidarizimi me kolegët nga Qendra, nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të radhës në Komunat e tyre", u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev tha se nëpërmjet akuzave të tilla ndaj Shipoviqit, pushteti po tenton me këtë lloj të skenarit të merr nën kontroll këshillin Komunal në Qendër. Sipas Zaevit ky skenar po realizohet përmes shtabeve partiake të VMRO-së, të instaluara në polici dhe prokurori.

"LSDM-ja nuk do të lejojë që Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE me dhunë institucionale të marrin kontrollin mbi Komunën Qendër. Pas dështimit të torturës zgjedhore, tani ata janë në sulm tjetër. Përmes procesit të montuar politik të shkelin vullnetin e qytetarëve", tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mirosllav Shipoviq aktualisht është në udhëtim privat në SHBA. Ai pritet të kthehet gjatë ditës së nesërme, ndërsa sipas paralajmërimeve, me të arritur në aeroport, atë e presin prangat policore. Edhe pse gjatë ditës së djeshme kishte paralajmërime se Shipoviq do të pritet nga opozita me protesta në aeroport, Zoran Zaev sot nuk përmendi protesta, e as pritje të Shipoviqit. Benjamin Arifi