Ed Miliband mund të marrë këshilla elektorale nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Është kjo deklarata që bën gazetari, shkrimtari britanik dhe Ish-këshilltari i Toni Bler, Alastair Campbell, sipas të cilit, lideri i laburistëve mund të ndjekë shembullin e kryeministrit të Shqipërisë, Rama për mënyrën se si ai përballet me kritikët e tij.<br /><br />Në një shkrim të publikuar në të përditshmen britanike "The Guardian", Campbell i njohur si këshilltari politik dhe drejtori i komunikimit dhe strategjisë i ish-kryeministrit britanik Toni Bler, shprehet se Miliband duhet të rrezikohë dhe të ndjekë shembullin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili përballej me kritikët e tij duke publikuar video të intervistave të tyre me komentet më skeptike që kanë bërë, gjatë fjalimeve të tij në fushatën elektorale.<br /><br />"Edhe pse një nga vendet më të varfra të Europës, duket se ka ardhur koha që Shqipëria ti japë këshilla politike Britanisë së Madhe"-shprehet Campbell i cili pritet të luajë një rol të rëndësishëm në fushatën e laburistëve për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij video-klipet funksionuan për Ramën i cili fitoi zgjedhjet e 23 qershorit në krye të koalicionit të qëndrës së majtë, ndaj Miliband mund të ndryshojë perceptimet që njerëzit kanë për të në fusha si biznesi, duke u përballur me kritikët sipas stilit të Ramës.