Më në fund do të dimë se çfarë ajri thithim. Ministria e Shëndetësisë është furnizuar me aparaturë mobile për matjen e cilësisë së ajrit ambiental. Dy aparatet do të mund të vendosen pranë objekteve që konsiderohen si ndotës potencial dhe do ta masin përbërjen kimike të grimcave. Dënimet për ndotësit e ajrit do të sillen prej 4 deri 10 vjet burgim.<br /><br />"Nuk guxojmë të lejojmë që dikush të na helmojë dhe t'i helmojë qytetarët. Në rregull është që të fitosh, në rregull është të funksionojë ekonomia dhe në rregull është që të funksionojnë të gjitha ndërmarrjet, kompanitë dhe fabrikat, mirëpo që ato fabrika të funksionojnë parësore është të ketë njerëz, shëndeti i njerëzve është më i rëndësishëm se sa fitimi dhe ekonomia. Njerëzit janë ata që e bëjnë atë, nuk guxojmë të lejojmë që në asnjë rast t'i mbyllim sytë para kësaj çështjeje shumë serioze", tha Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë.<br /><br />Edhe deri tani shteti kishte rregullore e cila parashikonte dënime serioze, por nuk kishte aparate që mund të dëshmonin saktësisht se kush është shkaktar i ndotjes. Matjet me këto aparate do t'i bëjë Instituti i shëndetit publik, do të zgjasin 24 orë, ndërsa do të mund të bëhen në të gjitha kushtet kohore. Këto aparate peshojnë vetëm 17 kilogramë ndërsa kostoja e tyre arrin në 900 mijë denarë. Bojana Simonoviq
