Liria e të shprehurit të cilës i referohen gazetarët, të çon të paragjykosh vendimet gjyqësore dhe mund të interpretohet si presion ndaj gjyqësorit për ndonjë vendim të caktuar siç ishte rasti me dënimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski. Kështu vlerëson drejtorja e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Aneta Arnaudova. Sipas saj gjykatësit nuk do të komentojnë akuzat e dërguara këto ditë në adresë të tyre nga gazetarët dhe Organizatat e ndryshme Joqeveritare se ata janë të ndikuar politikisht, pasi të drejtën e komentimit, gjykatësve ua cungojnë dokumentet ndërkombëtare për një gjyqësor efikas dhe të pavarur.

"Deklaratat e fundit që po i dëgjojmë në opinion, edhe nga gazetarët por edhe nga avokatët lidhur me një aktvendim, duhet të komentohet në drejtim të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut, përkatësisht nëse kjo liri e të shprehurit të çon tek paragjykimi i vendimit gjyqësor dhe nëse mund të kuptohet si presion ndaj gjyqësorit për një vendim të caktuar, pasi bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë", tha Aneta Arnaudova, drejtore e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë.

Ndërkohë Arnaudova thotë se në Gjykatat e Maqedonisë implementimi i standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ende është vetëm një proces.

"Implementimi i standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe referimi i tyre gjatë aktvendimeve në Gjykatat e Maqedonisë është proces, kjo do të thotë që ne kemi filluar me një aktivitet intensiv të trajnimeve, përkatësisht përkthimit të aktvendimeve, dhe tani është obligim i gjykatësve që t'i lexojnë ato dhe të implementojnë në praktikë", deklaroi Aneta Arnaudova, drejtore e Akademisë për Gjykatës dhe Prokuror.

Ndërkohë, një ditë më parë kryetari i SHGM-së Naser Selmani tha se pushteti po përpiqet që me çdo kusht të kontrollojë mediat me qëllim që të mos lejojë daljen në shesh të keqpërdorimeve që po bën. Sipas tij qasja e Qeverisë në fakt paraqet kambanë alarmi për të gjithë gazetarët që nëse publikojnë të 'zezat' e pushtetit do të përfundojnë në burg. Valmir Kuçi