PDSH-ja opozitare edhe sot ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë, e në veçanti BDI-në, se po e zhvlerëson vizitën e kryeministrit shqiptarë Edi Rama në Maqedoni, duke mos vendosur flamuj të dyja shteteve nëpër rrugët e kryeqytetit dhe para institucioneve. Nga PDSH-ja thonë se flamuj nuk janë vendosur as para Kuvendit, në momentin e takimit të Ramës me kryeparlamentarin Veljanovski.

"Sot gjendemi para Kuvendit të Maqedonisë, ku në këtë moment që flasim ne, zhvillohet takimi mes kryeministrit shqiptarë z. Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit. Asnjë flamur shqiptarë nëpër bulevardet e Shkupit, siç mund të shihni, asnjë flamur kombëtar para institucioneve shtetërore, ku kryeministri Rama zhvillon takimet bilaterale", tha Bekim Fazliu, PDSH.

Ndërkohë nga Qeveria thonë se kryeministri Rama në Shkup është pritur me nderimet më të larta shtetërore, të parashikuara me protokoll me rastin e vizitave të burrështetasve të huaj.

"Protokolli parasheh që flamuj shtetëror nëpër rrugë të vendohen vetëm atëherë kur për vizitë zyrtare në vend qëndron presidenti i shtetit. Kryeministri Rama është pritur me të gjitha nderimet e larta shtetërore, dhe sipas procedurave që parasheh protokolli diplomatik", thuhet në reagimin e Qeverisë.

Kryeministri Edi Rama para qeverisë u prit në mënyrë solemne, me intonimin e himneve kombëtare të të dyja vendeve dhe rreshtimin e gardës kombëtare para Qeverisë së Maqedonisë. Benjamin Arifi