NJU JORK - Rrjeti më i madh social online Facebook ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Lajmi fillimisht u dha nga ministrja për Integrimet europiane e Kosovës, Vlora Çitaku, nëpërmjet rrjetit tjetër social Twitter.

Tashmë sa herë që përdoruesit e Facebook do të bëjnë "check in", pra të vendosin vendodhjen në faqen e tyre personale në FB, nuk do të dalë më Pristina, Serbia, por Pristina, Kosovo.

Pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një njohje nga një shtet i botës, kjo njohje e Facebook ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse janë mbi 1 miliard njerëz në botë që përdorin rrjetin social.

Pak kohë më parë, kosovari Luard Kullolli i pati dërguar një peticion një prej themeluesve dhe shefit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg, të cilit i kërkonte që FB të njohë Kosovën si shtet i pavarur. "Kosova nuk është Serbi, ajo është njohur nga më shumë se 100 shtete të botës. Ndaj shprehim keqardhje që në Facebook, vijon të figurojë si Kosovo, provincë serbe.

Ashtu si të gjitha vendet e botës edhe shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën të përfaqësohen në Facebook, si qytetarë të Kosovës", thuhej në peticionin e firmosur nga rreth 10 mijë qytetarë.

Ndërkaq për këtë njohje ka kontribuar edhe përpjekja e programit Diplomacia dixhitale, që drejtohet zv/ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, një prej njerëzve më aktivë në këtë drejtim.