Ka shkuar në 207 numri i personave që kanë shkaktuar incidente, përkatësisht rrahje mes të rinjve në vend që nga fillimi i vitit 2013. 35 prej tyre po ndiqen penalisht, kurse 172 të tjerëve u janë shqiptuar kallëzime penale. Këto të dhëna i bëri publike sot ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, gjatë prezantimit të pilot projektit 'Parandalimi i prishjes së qetësisë publike në autobusët urban' i cili do të realizohet në katër komuna edhe atë në Kisella Vodë, Sopishte, Gjorçe Petrov dhe Gazi Babë.

"Këtë vit janë regjistruar një numër i madh i rasteve ku ka dominuar sjellja e dhunshme mes nxënësve prej të cilëve më tepër se gjysma janë regjistruar në rajonin e Shkupit, përkatësisht këto i ka regjistruar SPB-Shkup. Gjatë sjelljes së dhunshme më së shpeshti është përdorur dhuna dhe si epilog i saj më tepër persona janë paraqitur edhe si të lënduar. Lidhur me të gjitha këto raste, deri më tani janë paraqitur 207 adoleshentë, prej të cilëve 35 ndiqen penalisht derisa 172 të tjerë ka marrë kallëzime penale", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Drejtori i NTP-së, Misho Nikollov informoi se vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 9 sulme mbi shoferët e kësaj ndërmarrjeje dhe 15 incidente, gjegjësisht rrahje mes të rinjve brenda autobusëve të tij. Nikollov paralajmëroi se NTP deri në fillim vitin e ardhshëm do të instalojë 50 regjistrues në autobusët e NTP-së me qëllim identifikimin sa më të lehtë të keqbërësve.

"Për momentin në NTP-Shkup po marrim regjistrues për kamerat që gjenden brenda autobusëve d.m.th ne në autobusët tanë kemi kamera por ato pamjet ia tregojnë shoferit në kohë reale, por nuk incizohet ajo që shfaqet aty. Për 50 autobusë do blejmë regjistrues dhe besojë se deri në fillim të vitit të ardhshëm do të instalohen dhe me këtë ne do të ndihmojmë MPB-në që të identifikojë të gjithë personat që shkaktojnë incidente nëpër autobusë", u shpreh Misho Nikollov, Drejtor i NTP-së.

Ndërkohë edhe këtë javë kanë vazhduar incidentet nëpër rrugët e Shkupit në disa raste të ndara, duke rezultuar me lëndime të rënda për disa të rinj. Ndër ta në gjendje më të rëndë është një 19 vjeçar nga Shkupi, i cili vazhdon të mbetet në gjendje kome si pasojë e lëndimeve në kokë

Valmir Kuçi