TIRANE - Gjykata e Lartë ka nevojë për reformim dhe për këtë gjë, kemi kërkuar edhe asistencën e Komisionit të Venecias, deklaroi gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili është duke raportuar në Komisionin e Integrimit në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij, ministri Naço tha se, KLD mban nën presion kryetarët e gjykatave, duke mos i emëruar por duke i lënë të komanduar.

"KLD ka emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash. Pjesa tjetër është e komanduar dhe ka qenë nën presion të këtij institucion", ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Sipas ministrit të Drejtësisë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtesisë janë bërë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. "Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Me gjyqtarët e rinj do të luftojmë korrupsionin në drejtësi pasi gjyqtarët e vjetër janë në radhët e të koruptuarve", ka deklaruar Naço gjatë raportimit në Kuvend.

Gjatë këtij raportimi, ministri Naço është duke paraqitur strategjinë antikorrupsion të hartuar nga institucioni që ai drejton. Sipas tij, strategjia dhe paketa antikorrupsion i hapin rrugë luftës efektive të këtij fenomeni negativ për Shqipërinë.

Ministri i Drejtësisë, tha se, për të luftuar korrupsionin duhen sekuestruar pasuritë e paligjshme. "Duhen sekuestruar pasuritë e atyre që kryejnë evazion e prandaj korrupsioni duhet të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda", tha ministri Naço gjatë fjalës së tij.

Sipas Naços, vullneti politik do ta bëjë luftën ndaj korrupsionit më efektive dhe kjo do të jetë pasaporta për në BE e Shqipërisë. Sipas ministrit të Drejtësisë, edhe qytetarët duhet të bëhen pjesë e luftes kundër korrupsionit në drejtësi.

Ndërkaq, anëtari i Komisioni të Integrimit, Gramoz Ruçi ka deklaruar se i gjithë sistemi i drejtësisë është i kalbur dhe duhet reformuar. "I gjithë sistem i drejtësisë është i kalbur. Duhet ndryshuar gjyqtarët e vjetër me të të rinj", tha Ruçi gjatë fjalës së tij.