Vazhdon taktizimi me ndryshimet në Sektorët e Punëve të Brendshme në Shkup. Edhe pse kohë më parë, MPB-ja doli me të dhëna për ndryshime të reja kadrovike, mësohet se zëvendësimet e kuadrove ende nuk janë finalizuar. Momentalisht bisedohet për eshalonin e tretë, për ku rrjedh konkursi i brendshëm, dhe përveç rivaliteteve individuale, po zhvillohet betejë edhe për shifrat etnike brenda sektorëve. Zv/ministri i brendshëm Zimri Qamili në linjë telefonike për ALSAT M tha se gjatë këtyre ndryshimeve do të mbahet llogari edhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në postet udhëheqëse në MPB, përfaqësim ky i cili deri tani ka qenë shpërfillës. Qamili nuk deshi të prononcohet para kamerës, por tha se deri tani kanë përfunduar vetëm ndryshimet në eshalonin e parë dhe të dytë, të cilat i kishte komentuar kohë më parë.<br /><br />"Me këto ndryshime kemi mbajtur llogari për rritjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendet udhëheqëse ku kemi rritje të konsiderueshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dua të theksoj se kryeshef shqiptar kemi emëruar në krimin e organizuar, një kryeshef shqiptarë në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup, një kryeshef dhe ndihmës-kryeshef në Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë dhe ndihmës kryeshef në Sektorin e Punëve të Brendshme në Ohër", deklaroi Zimri Qamili, zv/ministër i MPB-së.<br /><br />Nga 12 sektorët që funksionojnë në SPB-në e Shkupit, pas këtyre ndryshimeve shqiptarët do të udhëheqin me 3 prej tyre, me çka shtohet një kryeshef shqiptar. Në nivel të ndihmësve të kryeshefave, mbetet vetëm një shqiptar. Ndryshime ka pësuar edhe Drejtoria për Siguri Publike, e cila është ristrukturuar nga 3 në 6 sektorë. Me sektorët do të udhëheqin 6 ndihmës drejtorë për Siguri Publike, njëri prej të cilëve do të jetë shqiptar. Benjamin Arifi
