TIRANE- "Avenir Peka, ka shkelur ligjin për AKKP-në, duke i dhënë privatëve prona që shërbejnë për mbrojtjen kombëtare dhe që konsiderohen me ligj si të pakthyeshme". Ky është argumentimi i kolonelit Artan Hoxha, ish-komandantit të Gardës së Republikës, i cili rezulton të ketë firmosur kërkesë padinë e cila është depozituar në Gjykatën e Tiranës, kundër vendimeve të marra nga Avenir Peka, për kthimin e teritorit të gardës, trashëgimtarëve të familjeve të Pandora Kazanxhi, Aishe Përnaska, Leonidha Nishku dhe Hiqmet Dema.<br /><br />Kërkesa civile, për kundërshtimin nëpërmjet ligjit të vendimeve të Pekës, është firmosur në datën 25 shtator 2013, vetëm pesë ditë pasi me një vendim tjetër qeveria "Rama", ka anulluar vendimin e qeverisë "Berisha", i cili legalizonte nismën e ndërmarë nga ish-kreu i AKKP-së Avenir Peka. Në padinë civile që gazeta "Shqiptarja.com" e disponon të plotë tregohet se Avenir Peka ka gabuar, duke e konsideruar të gjithë sipërfaqen e kthyer tek privatët si "Shesh", ndërkohë që një pjesë e sipërfaqes prej 7554 të kthyer tek privatët është e zënë me objekte, në pronësi dhe përdorim të Gardës së Republikës.
