KOSOVE- Në një kohë kur prokuroria Shqiptare ka nisur hetime ndaj kompanisë ajrore "Belle Air", një hetim i dytë paralel për këtë kompani ka nisur dhe në shtetin e Kosovës. Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, ka paraqitur një kallëzim penal në prokurorinë e Prishtinës, ku kërkon nga ky institucion vënien në përgjegjësi penale të Ilir Xhelos, Menaxher Përgjegjës i kësaj kompanie dhe Elio Sallabandës, drejtor ekzekutiv.

Në kallëzimin e ministrit të Infrastrukturës, thuhet se dy personat e kallëzuar dyshohet se nuk i kanë ofruar apo kanë dështuar t'i ofrojnë në mënyrë të plotë dëshmitë e kërkuara dhe të paraqesin informacione e kërkuar apo në lidhje me ofrimin e listës së udhëtarëve 10 dhe 12 gusht 2013 ku në Aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari", konkludohet se së paku 195 udhëtarë kanë qenë të dëmtuar nga parregullsitë gjatë udhëtimit me avionët e kompanisë "Belle Air" dhe problemeve të vazhdueshme deri më datën 5 shtator.

Në këtë kallëzim penal janë bashkangjitur edhe dëshmi nga komunikimi i kompanisë me përgjegjësit kosovarë të aviacionit civil ku dëshmohet mos paraqitja e saktë e listave të klientëve të kompanisë, që më vonë disa prej tyre edhe përfunduan të mashtruar dhe të dëmtuar nga kompania. Kjo kompani aktualisht është jashtë funksionit komercial. "Belle Air është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet për shkak të bllokimit prej më se 18 ditësh të llogarive bankare ne Shqipëri.

Kompania do të rinisë një proces ristrukturimi gjatë kësaj periudhe për t'u rikthyer së shpejti me shërbime e çmime më të lira në tregun shqiptar", shkruan në faqen e parë të ëeb-faqes kompania "Belle Air". Ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës, kompania në fjalë ka disa procese gjyqësore të hapura me Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, kjo për shkak se "Belle Air" për një kohë të gjatë nuk ka paguar taksën e shkeljes së kufirit ajror me avjonët e saj. Ndërsa disa banka në vend, i janë drejtuar gjykatës, ku kanë kërkuar nxjerjen e urdhërit të ekzekutimit për sekuestrimin e pronave të "Belle Air".