DURRËS - Vritet sot nga policia Gazmir Marku, autori i plagosjes së policit Agron Halilaj mbrëmjen e 28 dhjetorit në Durrës gjatë një aksioni policie.

Vrasja e Markut ndodhi rreth orës 20:40 gjatë operacionit të dytë, që policia ndërmori për kapjen e tij, duke rrethuar lagjen Kënetë, ku Marku fshihej.

Ky i fundit tentoi sërish të vriste një tjetër polic, për të çarë rrethimin e RENEA-s dhe forcave të policisë së komisariatit të Durrësit, që i bënë thirrje për t'u dorëzuar.

Siç informoi korrespondenti i "A1 Report" nga Durrësi, Artur Korriku, që prej ditës së djeshme forcat e policisë intensifikuan përpjekjet për zbulimin e vendndodhjes së Markut.

Vetëm sot në orë të vona ata zbuluan se ai gjendej në një banesë me numër 17/1 në lagjen Kënetë të Durrësit, jo larg banesës së tij.

Gazmir Marku kishte zënë vend pas një pirgu dheu dhe kishte hapur zjarr duke tentuar të vriste një efektiv të policisë.

Në këtë moment është hapur zjarr ndaj tij nga disa forca policie, duke bërë të mundur eliminimin e tij.

Një ditë më parë, Gazmir Marku plagosi me automatik oficerin e Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës, efektivin, Agron Halilaj, i cili ishte pjesë e një patrulle, e cila kishte shkuar për të kontrolluar banesën e tij.

Policia e Durrësit vuri në dispozicion edhe një shpërblim prej 5 mijë eurosh për arrestimin e Gazmir Markut.