Banorët në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara u zgjuan nën një shtresë bore që ka penguar trafikun, ka detyruar mbylljet e shkollave dhe shumë bizneseve. Zyrtarët thonë se të paktën 11 vetë kanë gjetur vdekjen si pasojë e stuhisë që përfshiu pjesën veriore të brigjeve të Atlantikut. Megjithëse reshjet e borës janë ndalur, temperaturat vazhdojnë të jenë tepër të ulëta. Era e acartë që ka përfshirë rajonin ka sjellë temperatura deri në -20 gradë celsius, duke bërë që Shërbimi Kombëtar i Motit të këshillojë njerëzit që ndodhen në mjedise të hapura të ruhen nga ngrirja. Pjesa veriore e vendit ka temperatura deri në -41 gradë celsius. Stuhia ka shkaktuar anulimin e mijëra fluturimeve dje dhe pardje dhe guvernatorët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet u kanë rekomanduar banorëve që të vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Alsat-M
