Heshtja e MPB-së dhe mungesa e transparencës nga ky dikaster lidhur me të shtënat në ajër nga pjesëtari i njësitit ALFA në Bit Pazar dhe kthimi i mallit shitësve të fishekzjarrëve, është tentim që të fshihet funksionimi joadekuat i saj nga opinioni. Kështu u shpreh aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Najçevska. Ajo vlerëson se policia tek ne është transparente ose shtiret si e tillë vetëm atëherë kur dëshiron të publikojë ndonjë aktivitet propagandues të saj, në të kundërtën është e shurdhët.

"Tek ne nën hijen e transparencës, fshihet një aktivitet propagandues i MPB-së, çdoherë kur ata dëshirojnë që një rast i caktuar të publikohet, të duartrokitet apo të lavdërohet ose në çfarë do mënyre e tjetër të shfaqin pjesën pozitive të punës së tyre. Çdoherë kur bëhet fjalë për kontroll të mundshëm mbi punën joadekuate të MPB-së, fshihet çdo lloj i komunikimit me pushtetin", tha Mirjana Najçevska, Eksperte për të Drejta të Njeriut.

Për analistin Albert Musliu, mungesa e transparencës nga institucionet shtetërore, e në veçanti nga MPB-ja është një avaz i cili vazhdon prej kohësh. Sipas tij MPB në të shumtën e rasteve hesht kur bëhet fjalë për ndonjë aksion të saj i cili nuk shkon në favor të tyre.

"Të mos jemi jo korrekt kemi plot raste kur ato institucione veprojnë në mënyrë agresive edhe ndaj pjesëtarëve të komunitetit shumicë dhe ka tendenca që të spinohet e vërteta, e kishim rastin e Martinit në Shkup i cili u vra dhe tentohej të shtrembërohet e vërteta por kur bisedohet për shqiptarët niveli dhe sasia e informative që jepen është minimale dhe përgjegjësia është minimale, prandaj ne kemi raste në dy dekadat e fundit kur ka pasur edhe vrasje në intervenimet policore si në Bit Pazar, në USHT dhe Gostivar ndërsa vrasësit asnjëherë nuk janë përballur me gjyqësinë por nëse ky avaz vazhdon besoj që mos besimi do të rritet", u shpreh Albert Musliu, analistë.

Najçevska dhe Musliu thonë se mungesa e transparencës së Institucioneve shtetërore ndaj mediave dhe publikut mund të ndryshojë vetëm përmes ndonjë presioni politik ose përmes ndonjë ndryshimi të strukturave të brenda tyre. ALSAT-M tani më prej 1 jave kërkon nga Ministria e Brendshme përgjigje lidhur me incidentin e ndodhur 2 ditë para Vitit të Ri, gjatë aksionit të policisë për ndalimin e shitjes së mjeteve piroteknike në Bit Pazar, përkatësisht aktin kur policia u detyrua t'u kthente shitësve mallin e konfiskuar, por deri më tani nuk është dhënë asnjë përgjigje! Valmir Kuçi