TIRANE- Të rrisësh një fëmijë me sindromën e autizmit nuk është e lehtë. Çdo ditë është një e panjohur, një ekuacion pa zgjidhje, një sfidë e vazhdueshme mes sëmundjes së fëmijës dhe ecurisë që ajo do të ketë. Autizmi nuk përzgjedh, pjesë e tij mund të jetë çdokush.

"A1 Report" trokiti këtë herë në një shtëpi modeste në periferi të kryeqytetit, për të dëgjuar dhe prekur më nga afër vështirësitë me të cilat ndëshet një nënë e katër fëmijëve, dy prej të cilëve janë autik.

Personazhin tonë e quajnë Lira dhe është nga qyteti i Tiranës. Mes lotësh ajo na tregon sesa të vështirë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë bashkëjetesën me dy fëmijë autikë, edhe pse mbështetja e bashkëshortit nuk i ka munguar asnjëherë.

Mes të tjerash 41-vjeçarja ndan me ne edhe detaje nga ditët e zakonshme të saj, ku na tregon sesa të vështirë e ka të kujdeset njëkohësisht për të katërt fëmijët, pasi bashkëshorti pjesën më të madhe të kohës është në punë.

Të ardhurat mujore të familjes janë mjaft të ulëta. Për të dhe bashkëshortin është mjaft e vështirë të sigurojnë ushqimet, ilaçet e dy fëmijëve autikë, vizitat e vazhdueshme të tyre tek mjeku apo të hollat për të shlyer qiranë e banesës.

Edhe pas gjithë këtyre vështirësive ajo sërish buzëqesh dhë e shikon jetën me optimizëm dhe mendon se një ditë gjithçka do të rregullohet për të dhe familjarët e saj.