Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka ngritur procedurë hetimore pranë Komisionit për Anti-Diskriminim dhe Anti-Korrupsion në lidhje me mbështetjen financiare të veprimtarive botuese nga ana e Ministrisë së Kulturës. Ata vlerësojnë se me përzgjedhjen e këtyre botimeve janë shkelur parimet dhe kushtet e përcaktuara nga ana e vet Ministrisë duke favorizuar aplikues të jashtëligjshëm.

"Të kërkojmë në mënyrë ligjore të ndërpritet ndarja e kontratave botues-ministri, pra aplikantëve, sepse shumica e atyre që kanë përfituar nuk kanë të drejtë ligjore për të aplikuar", tha Qamil Rufati, kryetar i SHBSH-së.

Sipas botuesve diskriminimi gjatë kësaj përzgjedhje vërehet edhe tek ndarja e titujve të librave.

"A ka më diskriminim që botues maqedonas kanë marrë nga 15 tituj ndërkaq kolegët e tyre shqiptarë nga 2 tituj? Gjithashtu mendojmë se ka bazë të shëndosh për të rishikuar se a ka korrupsion dhe ryshfete në këtë ministri?", u shpreh Qamil Rufati, kryetar i SHBSH-së.

Nga Shoqata vlerësojnë se nevojitet që bashkë me projektet, Ministria e Kulturës të publikojë edhe fondet për secilin prej tyre. Nga Ministria e Kulturës hedhin poshtë pohimet e shoqatës duke theksuar se këtë vit do të financohen 30 për qind e titujve shqiptarë, prej tyre 15 individ ndërsa pjesa tjetër botues dhe institucione. Gjyltene Rexhallari