Projekti për ndërtimin e një landfilli në Bradashesh të Elbasanit ka ngritur në protestë banorët e kësaj komune.

Sipas korrespodentit Andi Qosja, banorët kanë protestuar për ndalimin e mbetjeve urbane, pasi bashkia e Elbasanit ka miratuar projektin për ndërtimin e një landfilli në këtë fshat.

Ata shprehen të shqetësuar për dëmet që mund të sjellë ky landfill.

"Kemi 40 vite që ndotemi nga metalurgjiku dhe në rast se vijnë edhe mbetjet, jemi të vdekur!", janë shprehur banorët e Bradasheshit.

Me qindra qytetarë me pankarta në duar kanë kundërshtuar miratimin e qeverisë Shqiptare për ndërtimin e landfillit në Dampën e Metalurgjisë.

Komuna e Bradasheshit ka rreth 15 mijë banorë dhe është një ndër komununat më të mëdha në vend.

Sipas banorëve, "kjo protestë bëhet për të vetmin qëllim, për vazhdimësinë e jetës së fëmijëve të tyre në një ambient të pastër dhe pa ndotje".

Ata kanë theksuar se janë kundër projektit të bashkisë Elbasan, që mbështetet dhe nga Qeveria Rama.

Projekti, sipas Bashkisë pritet të nisë nga zbatimi në 2-3 muajt e ardhshëm.

Një ndër përkrahësit të protestës ishte edhe kryetari i komunës, Sabri Sollaku i cili theksoi se, "është e padrejtë që ky komunitet të ndëshkohet në këtë mënyrë. Qeveria nuk e ka ditur se pranë dampës së Metalurgjisë ndodhet edhe dampa e Paprit dhe për këtë arsye ne i bëjmë me dije se ndërtimi i landfillit në Papër do të ishte zgjidhja ideale". " Është e padrejtë që këta njerëz të vazhdojnë të vuajnë me sëmundjet kancerogjene prej dekadash me radhë dhe ardhja e mbetjeve urbane do ta shpallte zyrtarisht Bradasheshin si komunën e kancerit", shprehet Sollaku.

Banorët e Bradasheshit kanë bërë një peticion i cili i drejtohet Presidentit, Kryeministrit dhe të gjithë përfaqësive të ambasadave të huaja në vend, që ky projekt të mos zbatohet në komunën e tyre.

"Në rast se nuk do të merren parasysh kërkesat tona si komunitet, ne do të bllokojmë rrugën nacionale, që lidh Elbasanin me Tiranën", shprehen ata.

Banorët propozojnë që të ndërtohet në komunën Papër një landfill rajonal për të gjithë qarkun, pasi ky fshat ka më pak banorë dhe është më pranë lumit.

Ndërkohë, një tjetër shqetësim është edhe moslargimi i mbetjeve të cianurit në fshatin Balëz, i cili është shpallur nga qeveria shqiptare si një zonë hot-spot.