Përveç konkursit ku u pranuan vetëm 13 gardianë maqedonas në burgun e Idrizovës, ALSAT zbulon se paralelisht me të, ka pasur edhe një tjetër konkurs, ku janë pranuar 5 edukatore në këtë shtëpi ndëshkuese-përmirësuese. ALSAT-M siguroi edhe listën me emrat e kandidatëve të pranuar, dhe as në të nuk gjendet ndonjë shqiptar. Dje Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti nën kompetencat e të cilit bien Burgjet e Maqedonisë, paralajmëroi se sot me procedurë të përshpejtuar do të shpallet një konkurs tjetër ku do të pranohen edhe 6 gardianë shqiptarë. Por, sot në asnjë gazetë ditore nuk u shpalos një konkurs i tillë.<br /><br /> 'Ne në mënyrë urgjente intervenuam dhe kemi vendim të Qeverisë për shpallje plotësuese të konkursit ku në mënyrë që të respektojmë parimin kushtetues dhe ligjor për përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë edhe në burgun e Idrizovës, jam i bindur se gjatë ditës së nesërme do të bëjmë shpallje për 6 vende të reja pune', tha dje Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.<br /><br />Sot, ministri i drejtësisë ishte i pakapshëm për deklaratë, por nga kabineti i tij theksuan se konkursi i paralajmëruar dje, do të shpallet të shtunën, pasi dje ministria nuk arriti të vendoste në kohë kontakt me gazetat, të cilat ishin mbyllur. Konkurset e lartpërmendura dëshmojnë sërish se përfaqësimi i shqiptarëve në burgjet e Maqedonisë vazhdon të mbetet larg përqindjes që parashikon ligji dhe kushtetuta. Gjendja e tillë e mjerueshme ishte alarmuar edhe nga Avokati i Popullit, situatë që edhe ministri e ka pranuar. Valmir Kuçi