Kjo pamje ka filluar të jetë normale në qytetin e Tetovës. Veturat në disa rrugë parkohen vend e pa vend, pa kursyer as trotuaret. Për momentin Tetova ka vende parkimi për afro 230 vetura, ndërsa qyteti ka të regjistruara gjithsej 40 000 vetura. Nga Komuna e Tetovës, janë në dijeni të numrit të madh të makinave, dhe thonë se janë të angazhuara për zgjidhjen e këtij problemi.

"Të gjithë e dimë se në komunën tonë ekziston problemi i parkimit prandaj ne jemi duke punuar në atë ta gjejmë një zgjidhje afatgjate për komunën e Tetovës me këto kushte që i kemi. Në përgatitje e sipër janë parkingjet e tjera të mbyllura që do kapin një numër prej 792 vendesh dhe gjithsej do i kemi 1070 vende parkimi", tha Hisen Demiri, Shef i Sektorit të Qarkullimit në Komunën e Tetovës.

Nga ana tjetër, edhe ato pak parkingje që janë në qytetin e Tetovës, mbahen me çmime të larta. Banorët ankohen se ekonomia nuk e mundëson një pagesë të tillë.

"Në qytetin tonë, kjo është pika më e dobët e qarkullimit rrugor...kemi nevojë"

"Dihet se është pak shtrenjtë, por është edhe mirë se këto vetura që parkohen çdo kund nëpër rrugë s'japin pamje të bukur."

"Nuk ka parkingje. Më e vlefshme është në parking ta shtysh se sa të paguash merimangën", thonë banorët.

Situatën e rëndon edhe tepër mungesa e shërbimit të pastrimit të rrugëve nga makinat e parkuara keq.

"Është më se e qartë që Tetova ka nevojë për më shumë se një merimangë, apo ngritës makinash... kuptohet të jetë funksionale, para së gjithash për rritjen e ndjeshme të numrit të veturave në qytet por edhe për kapacitetet e vogla për parkim që ka qyteti", u shpreh Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së, Tetovë.

Tetova për momentin funksionon me vetëm tre vende parkimi të mbyllura ndërsa planifikohet që në muajt e ardhshëm, të hapen edhe dy të tillë si dhe të krijohen parkingje zonale. Bashkim Sulejmani