FIER- Regjistrimi i pronave të paluajtshme dhe shpronësimi i pronarëve, në tokat ku do të kalojë autostrada e Fierit, është bërë problem për ndërtimin e kësaj të fundit.

Në një mbledhje të përbashkët mes përfaqësuesve të Prefekturës, Drejtorisë së Rrugëve, kryetarët e komunave të qarkut Fier etj., është diskutuar propozim-vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme për nevoja të ndërtimit të autostradës të 'by-pass'-it të Fierit.

Prioritet kryesor, në bazë të diskutimeve, është fillimi i realizimit të projektit të autostradës, ndërkohë që janë evidentuar një sërë problemesh të ngritura nga përfaqësuesit vendorë.

Janë 900 prona të paluajtshme ku do të kalojë autostrada, por nga to rezultojnë të regjistruara vetëm 500.

Kryetarët e komunave kanë kërkuar të rishikohet edhe njëherë çmimi i tokës, pasi sipas tyre fermerët kanë shprehur pakënaqësi për shpronësimet në segmentin, ku kalon autostrada.

Prefekti i qarkut Fier, Xhevit Bushaj ka pohuar se, "nëse fillohet që tani me shpronësimet, shumë shpejt do të nisin punimet", duke shtuar se "do të bëhet e pamundur tu jepet zgjidhje problemeve".

'By-pass'-i i Fierit do të jetë i gjatë 22 km dhe do të lidhë autostradën Lushnjë --Fier me Levan-Vlorë. Ndërtimi i tij do të bëhet nga kompania italiane "Serenissima".