NJU JORK - Këshilli i Sigurimit të OKB u mblodh dje për të diskutuar mbi raportin e Ban ki-Moon për Kosovën. Të pranishëm në takim ishin dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiç.

Raporti i Ban ki-Moon u lexua nga Farid Zarif, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Në raport ndër të tjera thuhej se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdonin dialogun e tyre për të arritur një pajtim dhe stabilitet rajonal. Ban ki-Moon vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës për vitin 2013, duke i vënë theksin zgjedhjeve lokale, si dhe marrëveshjes së 19 prillit.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë të konsolidojnë progresin historik të arritur dhe të zgjidhin problemet dhe çështjet e ndryshme mes tyre, nëpërmjet dialogut.

Gjatë mbledhjes fjalën e morën dhe vetë dy kryeministrat. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bëri thirrje për njohjen e Kosovës, duke theksuar se kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në stabilitetin dhe paqen në rajon.

Duke folur për marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, Thaçi ka theksuar se marrëveshja e 19 prillit 2013 po konsiderohet se mund të shërbejë si model për të zgjedhur problemet që shqetësojnë rajonin dhe me gjerë.

Nga ana tjetër, kryeministri serb Ivica Daçiç ka theksuar se Serbia është e gatshme për dialog, por theksoi se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë Kosovës dhe kërkoi nga Prishtina që të mos e keqintepretojë dialogun sikur Serbia po e njeh pavarësinë.