BDI-ja konfirmon qëndrimin e saj se do të shqyrtojë mos pjesëmarrjen në të gjitha zgjedhjet e ardhshme presidenciale, nëse VMRO-ja refuzon idenë për kandidat konsensual. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani theksoi se mos pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është ndër alternativat më serioze të BDI-së, për të zhveshur legjitimitetin e presidentit që nuk do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët. Në Reçicë të Vogël ende shpresojnë se mund të gjendet formë për kandidat konsensual edhe në këto zgjedhje.

"Nuk ka kryetar legjitim i Maqedonisë pa vullnetin e shqiptarëve, dhe këtë projekt e kemi shtruar te partitë politike dhe opinioni se ka ardhur momenti që edhe kryetari i shtetit të reflektojë vullnetin e dy komuniteteve më të mëdha. Është opsion i BDI-së mos pjesëmarrja në cikël zgjedhor ku nuk respektohet vullneti i shqiptarëve. Nuk bëjmë fjalë për këtë cikël zgjedhor, por cilindo në të ardhmen", tha Bujar Osmani, BDI.

Përderisa BDI-ja pret përgjigje zyrtare, VMRO DPMNE-ja ripërsërit qëndrimin e saj se kandidati për president do të zgjidhet vetëm në procedurë të brendshme partiake, në konventën zgjedhore të 1 marsit.

"Në konventën e 1 marsit delegatët nga e gjithë Maqedonia, të cilët prezantojnë votuesit dhe VMRO-në si parti politike, do të vendosin kush është kandidati më i mirë. Kjo është mënyra se si VMRO-ja do të gjejë kandidatin më të mirë, me karakteristikat që duhet ti ketë një kandidat presidencial", u shpreh Zoran Stavrevski, VMRO DPMNE.

LSDM-ja opozitare nuk dëshiron të komentojë kërcënimet për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale nga partitë shqiptare, deri sa të ketë një vendim zyrtar nga subjektet politike.

"Duhet të presim të shohim a do të ketë bojkot, të presim si do të rrjedhin gjërat dhe pastaj do të komentojmë", tha Petre Shilegov, LSDM.

Edhe kryeministri Gruevski ka thënë se nuk beson që shqiptarët do të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale të 13 prillit. Bojkoti eventual, për VMRO-në do të thotë distancim nga e drejta demokratike e zgjedhjes. Benjamin Arifi