BRITANI- Zyra për Çështje të Brendshme të Britanisë së Madhe ka pezulluar testimet e gjuhës angleze të drejtuara nga ETS, një nga firmat më të mëdha në botë për administrimin e testimeve, si: TOEFL apo TOEIC.

Pezullimi erdhi pas zbulimit të një mashtrimi në sistemin e vizave studentore, nga ana e rrjetit britanik BBC, i cili dërgoi një gazetare të infiltruar me kamera të fshehtë.

Çdo vit, rreth 100 mijë studentë jo-europianë i nënshtrohen provimit për të marrë vizën studentore dhe të vazhdojnë studimet në Mbretërinë e Bashkuar.

BBC arriti të zbulojë një rrjet të gjerë personash, të cilët ndihmonin studentët të merrnin një zgjatje të vizave të tyre, nëpërmjet mashtrimit, kundrejt një shume prej 600 eurosh.
Rrjeti zëvendësonte studentët me persona të tjerë që zhvillonin provimin në vend të klientëve që paguanin. Studentëve u kërkohej të paraqiteshin ditën e provimit thjesht për një foto e cila do të dokumentonte prezencën e tyre atë ditë, më pas ata zëvendësoheshin nga dikush tjetër i cili kryente provimin në vend të tyre.

BBC dërgoi një gazetare të infiltruar në qendrën studentore ku kryheshin dhe provimet për vizë, si studente me një anglishte të dobët, e cila kërkonte të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar ilegalisht. Pasi bëri verifikimet e nevojshme ditën e provimit, gazetarja e infiltruar u zëvendësua nga një tjetër person për të zhvilluar provimin me shkrim dhe me gojë, ndërsa ajo dhe studentët e tjerë qëndronin në këmbë.

Një javë më vonë, gazetarja u paraqit në qendër për një tjetër provim, ku këtë rradhë administratori i provimeve u tregonte kandidatëve përgjigjet e sakta. Dhjetëra studentë përfunduan në 7 minuta, një provim i cili kërkonte rreth 2 orë.

Disa ditë më vonë, të gjithë arritën të merrnin çertifikatën e TOEIC me pikë maksimale.
Sekretarja për Çështjet e Brendshme, Theresa May u shpreh e shokuar nga provat e mbledhura nga BBC.

Pas publikimit të lajmit, qeveria britanike pezulloi dy kolegje, si dhe të gjitha testimet në gjuhën angleze të administruara nga ETS. Tre administratorë provimesh u larguan menjëherë nga puna.