TIRANE- Sipërmarrësit italianë kanë shfaqur menjëherë interes për premtimin e kryeministrit Edi Rama, për dhënien me qira 1 euro të aseteve publike. Filiali italian i prestigjiozes së elektroshtëpiakeve "BOSCH", ka prezantuar këtë pasdite në hotel "Sheraton" nismën për të hapur në Shqipëri shkolla profesionale, që do të fokusohen në formimin teknologjik e menaxherial. Kryeministri i vendit Edi Rama, e ka cilësuar praninë e "BOSCH" në Shqipëri, si një faktor pozitiv që do të ndikojë në të ardhmen e tregut të punës.

"Duke bërë të mundur që kjo vizitë të realizohet në një kohë të shpejtë dhe të jetë shprehja e parë e një mundësie reale që kemi konstatuar për të forcuar lidhjet me botën e sipërmarrjes italiane dhe për të rritur investimet italiane në Shqipëri", tha Rama.

Gjithashtu Rama theksoi edhe ndihmën italiane shumë vite përpara në dhënin mësim në shkollat profesionale në Shqipëri.

"Në vitet '30 Shqipëria ka pasur shumë shkolla profesionale, më shumë se sot, të drejtuar nga specialistë italianë dhe me shumë mësues italianë", tha Rama.

Roberto Zecchino, zv.president i Burimeve Njerëzore të "BOSCH", ka shpjeguar se kjo nismë do të përqendrohet tek sipërmarrja.

"Ne jemi sot këtu për të prezantuar nismën tonë për hapjen e një formacioni i cili më pas do të vijojë me hapjen e një shkolle për formimin profesional që do të përqendrohet tek sipërmarrja. Vendim ishte i menjëhershëm dhe e projektuam vetëm në pak ditë, pasi takuam kryeministrin Edi Rama në Milano. Kjo shkollë do të ketë në fokus formimin teknologjik e menaxherial", tha Zecchino.

Sipas ambasadorit italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, mungesa e formimit profesional ka qenë një ndër ankesat më të shumta të bizneseve që operojnë në Shqipëri, ndaj hapja e shkollave të tilla është e domosdoshme.

"Shqipëria është një vend me interes të madh për sipërmarrjen tonë. Gjatë takimeve që kam pasur me përfaqësues të biznesit një prej problemeve të shtuara ka qenë rëndësia e formimit profesional. Duhet të jetë sa më afër kërkesave të biznesit dhe jo gjëra të shkëputura, teorike. Ndaj nisma e "BOSCH" për të hapur shkolla profesionale, është në të njëjtën linjë me kërkesat e biznesit. Vlerësoj vëmendjen e qeverisë ndaj nismave të tilla dhe këtë e tregon më së miri edhe prania e kryeministrit Rama dhe ministrit Veliaj", tha ambasadori Gaiani.

Erion Veliaj, ministri i Mirëqenies Sociale, theksoi edhe njëherë faktin se italishtja do të jetë tashmë gjuhë me detyrim në shkollat profesionale.

Në këtë prezantim të nismës së "BOSCH" në Tiranë, ishte i pranishëm edhe ish-kampioni i volejbollit italian, Pasquale Gravina, i cili i ka dhuruar kryeministrit Rama një top volejbolli.