TIRANË- "Opozita tenton të bllokojë. Ne do të vijojmë reformat. Projektligji i propozuar është në përputhje me kushtetutën".
Kështu është shprehur sot Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, në një deklaratë për shtyp ku ka folur lidhur me ndryshimin në ligjet për nëpunësin civil.

Reagimi i PD-së vjen pas deklaratave të deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili akuzoi sot kryeministrin Rama se ka firmosur në fshehtësi një projekt/ligj të ri, që sipas tij zhbën tërësisht Ligjin për Nëpunësin Civil, reformën në administratën publike.

Ministrja u shpreh sot se qëllimi i vetëm i opozitës është të bllokojë reformat.

"Ka një problem me opozitën e Partisë Demokratike sot. Kur i ftojmë në takim në Kuvend për të diskutuar, nuk vijnë, kur i shkruajmë për t'i informuar dhe kërkuar mendim, nuk përgjigjen. Në parlament nuk e kanë mendjen tek rendi i ditës e në fund ankohen pse nuk u pyetën.

E vërteta është se ndryshimet që Qeveria ka propozuar në ligjin për Nëpunësin Civil janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin.

Ne jemi të vendosur për të ndërmarrë reformat e nevojshme, brenda kornizës ligjore, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në konsultim me partnerët e huaj, e për aq sa mundemi, në konsultim edhe me opozitën", tha Harito.

Sipas saj, vetëm PDIU është treguar bashkëpunuese.

Falenderojmë me këtë rast një pjesë të opozitës, PDIU, që ju përgjigj pozitivisht ftesës dhe nuk u fsheh pas arsyesh absurde, për të mos pranuar as të ulej në tryezën e bisedimeve", tha Harito.

Ajo vërejti se, "Institucionet, sipas kërkesave ligjore, kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet që Qeveria propozon në projektligjin për Nëpunësin Civil; ekspertë vendas dhe evropianë janë konsultuar prej disa javësh tashmë".