BDI-ja do të vazhdojë të mbajë gjallë idenë e presidentit konsensual edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pavarësisht epilogut në këtë proces zgjedhor. Zv/kryeministri Fatmir Besimi tha mbrëmë në emisionin "Rruga Drejt", se vendimmarrja konsensuale është qëllim afatgjatë i BDI-së në periudhën që vijon.

"Pavarësisht vendimit të VMRO-së, ne nuk ndryshojmë mendimin tonë për kandidatin konsensual. Ky është vendimi i BDI-së. Vlerësojmë se është një vlerë demokratike, integruese brenda vendit, e cila siguron inkluzivitet dhe legjitimitet të kandidatit për president", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër.

Ish deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i RDK-së Izet Zeqiri sfidoi BDI-në që idenë e tillë ta formalizojë me propozim ligj në Kuvend. President me rotacion ose zv/president shqiptar është formula më e mirë për RDK-në.

"Po të ishte qëndrimi juaj serioz dhe konsistent, BDI do të lëshonte një ligj në Parlament, ku do të kërkonte të ndryshohej Kushtetuta, në të cilën krahas kryetarit do të kishim edhe nënkryetar shqiptar në shtet, ose varianti tjetër në të cilën me sistem rotacioni, kryetari i shtetit dy herë do të ishte maqedonas, një herë shqiptarë", u shpreh Izet Zeqiri, RDK.

U diskutua edhe për projektet ekonomike. Fatmir Besimi shpjegoi rëndësinë e fillimit të ndërtimeve të Korridorit 8, që duhet të kushtojë 900 milion euro. Nga ana tjetër, Izet Zeqiri priti me rezerva dhe skepticizëm paralajmërimet për këtë projekt.

"E dini çfarë është Korridori 8? Korridori 8 do të thotë që ju dhe unë, mund të pimë kafen e mëngjesit në Tetovë, të mbajmë ligjërata paradite në Universitet në Tiranë, pasdite në Prishtinë në debat, dhe në mbrëmje të kthehemi në Shkup", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër.

"Perspektivë është kjo z. Fatmir. Me këtë Qeveri, me këtë kryeministër ju nuk mund të realizoni asgjë. Ne kemi shumë shembuj të projekteve të cilat nuk janë realizuar. Një bibliotekë në Tetovë nuk mund ta realizoni me 5 buxhete", theksoi Izet Zeqiri, RDK.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për ngjarjen në shkollën e mesme të Gostivarit. Zeqiri kritikoi reagimin e butë të BDI-së, ndërsa zv/kryeministri Besimi siguroi se hetimi do të vazhdojë, ndërsa kampionet e gjakut do të dërgohen për analizë jashtë Maqedonisë. Benjamin Arifi