TIRANE - Abuzuan me sasinë e karburantit duke vjedhur qytetarët, bien në pranga tre persona mes tyre administratori, Kujtim Mersinaj si dhe dy menaxherë. Arrestimi i tyre është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa A1 Report ka mundur të sigurojë një kopje të kërkesës për masën e sigurisë arrest me burg.

Pas denoncimeve të herëpashershme në media se konsumatori shqiptarë bie pre e mashtrimeve teksa furnizohet në pikat e karburanteve, ka reaguar organi i akuzës duke përmbyllur një hetim pas 7 muajve por pa dhënë ende asnjë emër se cilat janë subjektet që mashtrojnë me sasinë në shitje.

Hetimi është finalizuar me vënien në pranga të 3 personave, mes tyre një administrator dhe dy menaxher karburantesh. Në kopjen e kërkesës për masë sigurie ndaj këtyre personave, të siguruar nga A1 Report thuhet se:

Kujtim Mersinaj, administrator i "D..... sh.p.k", Erjon Tauzi dhe Shaban Berliku menaxher në pika karburantesh akuzohen se, nëpërmjet veprimeve të paligjshme, kanë dëmtuar në mënyrë të vullnetshme matësit e sasisë së karburantit në pikat ku ushtronin detyrën e tyre.

Më tej në materialin e prokurorisë shpjegohet dhe skema e mashtrimit e përdorur nga këta shtetas është realizuar duke ndërhyrë, zhbllokuar pistoletat të cilat ishin të bllokuara me vulat e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, fakt që pasqyrohet në akt kontrollet.

"Kanë përdorur pistoleta furnizimi me karburant me afate kohore të skaduara dhe që japin mangut. Kanë ndërhyrë në instrumentet matëse duke prishur (këputur) shenjat e verifikimit (vulat), në të cilin kanë qenë të bllokuara", thuhet në kërkesën e dorëzuar në gjykatë.

Vjedhja që karburantet i bëjnë qytetarëve u pranua dhe nga inspektorati qendror teknik vitin e kaluar, por asnjëherë nuk u bënë publike emrat e subjekteve abuzuese paçka se interesimi i publikut dhe medias ishte tepër i lartë.

Sipas organit të akuzës abuzimet në këto karburante arrinin vlerën e 100 mijë lekë në ditë, ndërsa hetimet janë ende të hapura dhe pritet që të finalizohen dhe me 15 subjekte në të gjithë vendin për të njëjtën vepër penale.