BDI-ja ka finalizuar emrat e kandidatëve të diasporës që do të garojnë në zgjedhjet e radhës parlamentare. Vendimi është unifikuar me shoqatat shqiptare në diasporë. Pas vendosjes një ditë më parë, të kandidatit për Evropën, Ismail Belulit, sot BDI-ja vendosi që për njësinë në SHBA të jetë Tefik Abdullahu, ndërsa për atë në Australi, Driton Maliku.

"Jemi duke u angazhuar që tek kjo popullatë të sensibilizojmë çështjen e ardhmërisë të shqiptarëve në tërësi, të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në votime pasi ua lejon këtë ligjit, ata të kenë përfaqësuesin e tyre në parlamentin e Maqedonisë. Ne fatmirësisht ia arritëm që të kemi një kandidatë të përbashkët nga të gjitha shoqatat dhe ky kandidat të jetë Tefik Abdullahu", tha Ruzhdi Lata, anëtar i delegacionit të BDI-së në diasporë.

Lata tha se angazhimi i tanishëm ka të bëjë me faktorizimin e akoma më të madh të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme. Ndryshe nga 3 vjet më parë, ai tha se tani BDI-ja synon të marrë të paktën 2 nga 3 deputetët e diasporës.

"Këtu nuk është çështje shprese por është çështje angazhimi pasi numri është dominant i njerëzve tanë në SHBA dhe nëse angazhohen shqiptarët që të dalin në votime, të shkojnë deri në konsullatë të Maqedonisë që të votojnë, është më se e sigurt që ne fitojmë edhe një deputet më shumë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë", u shpreh Ruzhdi Lata, anëtar i delegacionit të BDI-së në diasporë.

Ismail Beluli, me profesion jurist, njihet si veprimtar i shquar i çështjes shqiptare veçanërisht gjatë luftërave çlirimtare në Kosovë e Maqedoni; Tefik Abdullahu, mësimdhënës i shqipes dhe veprimtar mes mërgimtarëve në SHBA, Driton Maliku, mërgimtar i suksesshëm në Australi, me një kontribut të veçantë gjatë vitit 2001. Valmir Kuçi