TIRANË - Prefektura e Tiranës e drejtuar nga Sadi Vorpsi ka bërë të ditur se, ka marrë me dhjetëra ankesa nga banorët në lidhje me ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, duke iu përgjigjur edhe Bashkisë së kryeqytetit e cila sot akuzoi qeverinë se po bllokon ndërtimin.

Me një njoftim zyrtar, Prefektura e Tiranës bën të ditur se, "referuar ankesave të qytetarëve të Tiranës, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i Bulevardit të Ri, Prefektura e Tiranës bën me dije se për një periudhë disa mujore, ajo ka marrë me qindra ankesa apo dhe ka zhvilluar takime të drejtpërdrejta me ta, për shqetësimin lidhur me shpronësimet".

Sipas prefekturës, qytetarët "konkretisht, ata janë ankuar për referenca joreale në vlerësimin e pronave të tyre, krahasuar me çmimet e tregut". "Nisur nga ky shqetësim masiv në respekt të ligjit Prefektura e Tiranës i ka kërkuar INUK verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor për shembjet në fjalë", bën të ditur prefektura me anë të një njoftimi për median.

Prefektura thotë se, "ky problem, i cili mund të marrë përmasat e një konflikti social ngrihet në bazë të shqetësimit të pronarëve ndaj Bashkisë së Tiranës se shpronësimet nuk po realizohen në përputhje dhe sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin përkatës".

"Prefektura është e angazhuar të zbatojë gërmë për gërmë ligjin dhe të verifikojë çdo shqetësim të ngritur nga qytetarët në lidhje me shkelje të pretenduara nga ata", përfundon deklarata për mediat e Prefekturës së Tiranës.