TIRANE- Sulmohet nga jashtë me eksploziv artizanal banesa e ish efektivit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe Shërbimit Informativ Shtetëror Ilir Dako.

Xhamat e dritares të thyera nga shpërthimi kanë rënë mbi motrën e Dakos, e cila ka marrë plagë të lehta dhe pas ndihmës së parë mjekësore është plotësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:40 pas mesnate duke u gdhirë dita e hënë (sot), në rrugën "Ymer Kurti", në zonën e Tiranës së Re, përballë gjimnazit "Petro Nini Luarasi".

Në pallatin e ish-agjentit sekret që prej vitit 2006 është në pension, banojnë edhe deputetë dhe ish-deputetë, siç janë Fidel Ylli, Sulejman Starova, Neritan Ceka dhe Paskal Milo, çfarë ka bërë që policia të përfshijë në hetime edhe pistën e një gabimi në objektiv duke hetuar edhe kërcënime të mundshme ndaj këtyre.

Madje një kat më poshtë banesës së Dakos, banon me qera një prej zëvendësministrave të bujqësisë, ballkoni i të cilët është dëmtuar gjithashtu nga shpërthimi.

Në pallatin ku ndodhi shpërthimi deri 2 javë më parë kanë banuar rreth 30 muxhahedinë të rezistencës iraniane të cilët kanë mbërritur në Shqipëri sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas policisë nuk ka prova që të ketë lidhje mes tyre dhe ngjarjes.

Familjarët e Ilir Dakos, jashtë kamerave shprehen të habitur me gjithë çfarë ka ndodhur.

"Jetojmë këtu që prej 16 vjetësh dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme, në këtë pallat gjysma janë deputetë . E vetmja mundësi është që të kenë ngatërruar shenjestër.", - thonë familjarët që ende nuk e kanë mbledhur vetën nga shpërthimi.

Komshinjtë tregojnë që Dako prej 10 vitesh ai ishte i papunë, ndërsa nuk ka as ndonjë biznes.